E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Kushtet e reja të ‘Schengen’

 

Presidenca suedeze e Bashkimit Evropian, ndërsa përgatitet për liberalizmin e vizave me qytetarët e Serbisë, Maqedonisë e Malit të Zi më 19 nëntor, ka paraqitur edhe kriteret e reja të aplikimit për vizë për qytetarët shqiptarë. Ju mund të udhëtoni me një vizë të vlefshme “Schengen” për shtetet anëtare dhe shtetet e mëposhtme lidhur me zbatimin e “Acquis Schengen” në mënyrë të plotë në: Austri, Belgjikë, Republikën Çeke, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Francë, Greqi, Gjermani, Holandë, Hungari, Islandë, Itali, Lituani, Letoni, Luksemburg, Maltë, Norvegji, Poloni, Portugali, Sllovaki, Slloveni, Spanjë, Suedi dhe Zvicër. Mbajtësit e kësaj vize kanë të drejtën të qëndrojnë për një maksimum prej 90 ditësh brenda një periudhe 6-mujore, duke filluar nga data e hyrjes së parë. Ju lutem vini re se mbajtja e një vize “Schengen” nuk iu jep të drejtën automatike të hyrjes, kushtet e hyrjes verifikohen edhe në kufijtë e jashtëm. Kërkesa për vizë duhet të adresohet në misionin diplomatik të shtetit të destinacionit tuaj kryesor të udhëtimit (apo misionin diplomatik që përfaqëson këtë shtet, kur është i zbatueshëm). Nëse destinacioni kryesor nuk mund të përcaktohet, aplikimi duhet të dërgohet në misionin diplomatik të shtetit të parë “Schengen” ku ju do të hyni. Taksa e kërkesës për vizë është 35 euro. Nëse kërkesa për vizë ju refuzohet, tarifa është e pakthyeshme. Tarifat e vizave janë hequr për kategoritë e aplikuesve të listuara në Nenin 6 (2) të Marrëveshjes për Lehtësimin e Vizave (VFA) (p.sh. të afërmit e ngushtë, anëtarët e delegacioneve zyrtare, fëmijët nën 6 vjeç, personat me aftësi të kufizuara, pensionistët, gazetarët, etj). Ky informacion është i përgjithshëm dhe rezervat e seksionit të vizave kanë të drejtë të kërkojnë dokumente shtesë në mbështetje të një aplikimi.

Në mënyrë që të aplikoni për një vizë “Schengen”, dokumentet e mëposhtme duhet të dorëzohen personalisht:

• Një pasaportë e vlefshme dhe fotokopje të së gjitha faqeve që përmbajnë informacion në pasaportë. Pasaporta duhet të jetë e vlefshme për të paktën tre muaj pas skadimit të vizës
• Një formë aplikimi të plotësuar nga aplikuesi dhe të nënshkruar prej tij. Format e aplikimit mund të merren pa pagesë në Ambasadën e një shteti anëtar “Schengen” ose mund të shkarkohet nga faqet e tyre në internet. 
• Dy fotografi pasaporte të marra në një sfond të bardhë, sipas standardeve të përbashkëta ICAO-s
• Certifikatën e lindjes dhe të familjes së aplikuesit ose një kopje të kartës biometrike të identitetit
• Për fëmijët e pashoqëruar nën 18 vjeç: një deklaratë të noterizuar nga prindi i cili nuk udhëton
• Për nxënësit: një letër nga shkolla apo universiteti
• Sigurimi shëndetësor i udhëtimit (i vlefshëm për të gjitha shtetet anëtare të “Schengen”-it, që mbulojnë një sasi minimale prej 30,000 euro për trajtim mjekësor dhe kthimin e aplikuesit në rast të shëndetit të dobët)

Në varësi të arsyeve të udhëtimit, ju duhet të paraqisni edhe këto dokumente

Vizë vizite

• Mbështetjen e besueshme nga personi pritës (dhe një fotokopje) ose dëshminë se ka mjete të mjaftueshme financiare në dispozicion të aplikuesit (p.sh., deklarata e tij/saj bankare duke treguar një periudhë të shkurtër të veprimeve, të paktën tremujore, pensioni ose certifikatat e sigurimeve shoqërore, kontrata e punës)
• Në qoftë se aplikuesi dhe sponsori/personi pritës kanë lidhje gjaku apo familjare, aplikuesi duhet të paraqesë dokumente që dëshmon marrëdhënien (p.sh., certifikatën e lindjes apo certifikatën martesore)
• Letër nga punëdhënësi ose dokumentet e regjistrimit të biznesit, nëse aplikuesi ka një biznes të tij/saj, vendimin juridik për marrjen e licencës së biznesit, licencën e biznesit dhe NIPT-in e kompanisë.
• Prenotimin e udhëtimit (fluturimit, tragetit apo autobusit) (nuk është e nevojshme të dërgojë biletë të paguar)
• Dokumente shtesë që kërkohen nga Greqia (Greqia kërkon një fotokopje të kartës së identitetit të personit pritës në rast se ai/ajo është qytetar grek ose një kopje të lejes së qëndrimit nëse ai/ajo është qytetar shqiptar. Këto fotokopje duhet të certifikohen nga autoritetet greke).

Vizë Turistike

• Dëshmi për mjete të mjaftueshme financiare – p.sh. deklaratat personale bankare të aplikantit që tregojnë një periudhë operacioni të paktën tre mujore, letër pune ose kontratë pune, vërtetim të sigurimeve shoqërore, dokumentet e regjistrimit të biznesit, nëse aplikuesi ka një biznes të tij/saj, vendimin juridik për marrjen e licencës së biznesit, licencën e biznesit dhe NIPT-in e kompanisë.
• Rezervimin e hotelit dhe udhëtimit (nuk është e nevojshme të dërgohet biletë e paguar)

Vizë Biznesi

• Një kërkesë me shkrim/ftesë nga kompania pritëse ose personi juridik, Zyra, shteti ose autoriteti lokal dhe verifikimin e ekzistencës së një biznesi në Qendrën Kombëtare Shqiptare e Regjistrimit. Ftesa duhet të jetë lëshuar jo më shumë se 2 muaj para datës së aplikimit
• Letër nga një kompani shqiptare, që përmban të dhënat tuaja personale, rolin tuaj në biznes, dhe qëllimin dhe kohëzgjatjen e udhëtimit (origjinale dhe fotokopje). Letra duhet të jetë lëshuar jo më shumë se 2 muaj para datës së aplikimit dhe një ftesë nga një kompani pritëse që konfirmon se ata do të mbulojnë shpenzimet financiare, apo dëshmi të mjeteve të mjaftueshme financiare (për shembull deklarata personale bankare dhe/ose një certifikatë nga punëdhënësi që konfirmon se do të mbulojë shpenzimet)
Nëse ekziston një partneritet biznesi i mëparshëm me kompaninë pritëse, prova e cila dëshmon ekzistencën e tij (faturat, lista e porosive për produkte, etj)
• Letër punësimi të aplikantit
• Dokumentet e regjistrimit të Biznesit të kompanisë ku punon aplikuesit (vendim gjyqësor për marrjen e licencës të biznesit, licenca e biznesit dhe NIPT-i i kompanisë)
• Rezervimi i hotelit dhe udhëtimit (nuk është e nevojshme të dërgojë biletë të paguar)

Viza për të marrë pjesë në Aktivitete Kulturore dhe shkencore

• Një kërkesë me shkrim/ftesë nga institucioni pritës për të marrë pjesë në aktivitet
• Një ftesë nga institucioni pritës duke konfirmuar se ata do të mbulojnë shpenzimet financiare, apo dëshmi të mjeteve të mjaftueshme financiare (për shembull një deklaratë personale bankare)
• Punësimi ose vërtetim i arsimit dhe dokumentet e regjistrimit të biznesit (licencë të biznesit)
• Rezervimi i hotelit dhe udhëtimit (nuk është e nevojshme të dërgojë biletë të paguar)

Viza për shoferët e transportit ndërkombëtar të mallrave dhe shërbimeve të transportit të pasagjerëve

• Një kërkesë me shkrim nga Shoqata Kombëtare e Transportuesve të Shqipërisë që garanton transport ndërkombëtar rrugor, duke deklaruar qëllimin, kohëzgjatjen dhe shpeshtësinë e udhëtimeve.
• Dëshmi për mjete të mjaftueshme financiare (për shembull, një deklaratë personale bankare dhe/ose një letër nga punëdhënësi që konfirmon se ai do të mbulojë shpenzimet)
• Letër e punësimit ose dokumentet e regjistrimit të biznesit (licencën e biznesit)
• Fotokopje të vlefshme ndërkombëtare dhe kombëtare patente
• Dokumentet e regjistrimit të automjeteve

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›