“I Humburi” i Hans-Ulrich Treichel prezantohet në Tiranë
Një nga shkrimtarët më të njohur gjermanë të kohës, vjen në Tiranë, për të takuar nga afër lexuesin e tij dhe për të prezantuar veprën e tij më të suksesshme “I humburi”. Sot e nesër shkrimtari Hans-Ulrich Treichel do të jetë në qendër të dy mbrëmjeve letrare. Treichel është një nga emrat më të njohur ndër prozatorët bashkëkohës të Gjermanisë e gjithashtu edhe akademik. Prej romanit të parë “I humburi” e deri më sot ka botuar 6 romane, veç vëllimeve të shumta me poezi e ese. Treichel është gjithashtu i njohur si një ndër profesorët e pakët në Gjermani që jep mësim mjeshtërinë e të shkruarit, në Institutin e Letërsisë Gjermane pranë Universitetit të Lajpcigut. Me rastin e daljes në qarkullim të romanit “I humburi” në përkthimin e Ardian Klosit dhe aktiviteteve përmbyllëse të Tetorit Gjerman, Treichel do të mbajë dy lexime publike, sot në orën 18.00 në Ambasadën Gjermane, të dytin nesër po në ora 18.00 në Akademinë e Arteve (Salla Black Box). Ndërsa leximi i parë do të jetë më shumë në gjuhën gjermane, i dyti fton në radhë të parë publikun shqiptar për të dëgjuar fragmente nga ky roman psikologjik, i ngritur mbi një ngjarje të vetë jetës së shkrimtarit. Gjithsesi të dyja leximet do të shoqërohen me projeksion të gjuhës tjetër. Në përfundim të leximit të dytë, në Akademinë e Arteve, do të shfaqet një nga filmat më të njohur gjermanë të viteve të fundit “Das Wunder von Bern” – “Mrekullia e Bernës”.