Nicolas Sarkozy dekoron katër “kalorës” shqiptarë
alma mile
Kryeministri francez, Nicolas Sarcozy dekoron “kalorësit” shqiptarë të arteve dhe arsimit.Gjatë një ceremonie, ditën e hënë, në emër të kreut të Qeverisë së Francës, ambasadorja franceze në Tiranë, Maryse Daviet, i ka dorëzuar medaljet e Kalorësit të Palmave Akademike dhe të Kalorësit të Arteve dhe Letrave katër personaliteteve shqiptare për bashkëpunimin e frytshëm me institucionet përkatëse dhe përhapjen e kulturës franceze. Dhe përkatësisht Mimoza Hafizi, astrofizikante, profesoreshë në Fakultetin e Shkencave në Tiranë dhe Adrian Civici, Rektor i Universitetit Evropian të Tiranës janë nderuar me Urdhrin Kalorës i Palmave Akademike, në emër të ministrit të Arsimit Kombëtar dhe të Kërkimeve Shkencore. Ndërsa Urdhri Kalorës i Artit dhe e Letrave, në emër të ministrit të Kulturës dhe të Komunikimit, i është dhënë maestro Zhani Cikos, Drejtor i Teatrit të Operas dhe Baletit dhe regjisorit Kujtim Çashku, rektor i Akademisë së Filmit & Multimedias Marubi në Tiranë. Ambasadorja Daviet ka shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin karshi këtyre intelektualëve të njohur për kontributin e dhënë në fushat e artit, mësimdhënies dhe shkencës në Shqipëri, por edhe për përhapjen e kulturës dhe mendimit francez. Ajo vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer të profesorëve Civici e Hafizi me universitetet franceze dhe institucionet e tjera kërkimore dhe shkencore. Të dekoruarit, nuk mund të mos shprehnin mirënjohjen për këtë vlerësim që u bëhej nga Qeveria franceze, përmes këtij urdhri i cili është jo vetëm kënaqësi, por edhe përgjegjësi shumë e madhe. “Është një kënaqësi e veçantë pasi bëhet fjalë për një urdhër me shumë tradita dhe tepër rigoroz për ata, të cilëve u akordohet. Është kurorëzim i një aktiviteti 18-vjeçar me Francën, ku kam të botuara në forma të ndryshme, si artikuj, studime, broshura, projekte rreth 2,000 faqe”, thotë Civici, i cili tek ky çmim vlerëson jo vetëm mirënjohjen nga ana e Kryeministrit francez dhe Ministrit të Arsimit, por edhe arritjen personale. “Arsimi dhe shkenca është një fushë e vështirë për të pasur sukses, pasi mund të kesh talent në një art të caktuar e të dallohesh me të, kurse në arsim është vlerësimi i një pune shumë të gjatë”, shton Civici, profesor i asociuar pranë Universitetit të Monpelierit dhe bashkëpunëtor me universitete të tjera, si në Lion, Paris, etj. “Ky bashkëpunim më ka shërbyer si një universitet i dytë për nga mënyra e konceptimit të gjërave nga ana intelektuale. Shpirti i hapur, pa ngarkesa, gjuha dhe kultura shumë akademike ka qenë një zbulim për mua dhe më ka shërbyer shumë edhe këtu. Kam marrë edhe një doktoraturë të dytë në Francë, që është një dritare shumë e madhe për mua në komunikimin me botën akademike”, thotë Rektori i UET. Me shumë përzemërsi ambasadorja franceze u dorëzoi medaljet edhe dy artistëve, muzikantit Zhani Ciko dhe regjisorit Kujtim Çashkut. “Violinist virtuoz dhe dirigjent orkestre i talentuar, i cili edhe nën diktaturë ka arritur të transmetojë dashurinë dhe mjeshtërinë e muzikës megjithëse vendi ishte i bunkerizuar... Shqiptar dhe evropian, por gjithashtu francez në zemër, ju gjithmonë i keni dhënë krijimit, artit francez pjesën e duhur në programacionet kulturore të TKOB në Tiranë, që ju drejtoni”, do të thoshte ndër të tjerash për mjeshtrin Ciko, ambasadorja Maryse Daviet. Nga ana e tij muzikanti shprehu mirënjohjen jo vetëm për akordimin e këtij Urdhri të lartë, “por përmendja befasuese e thuajse gjithçka kam bërë në sferën time, nga Ambasadorja e Francës, Marise Daviet, më rrit përgjegjësinë por nga ana tjetër më përforcoi bindjen se asgjë në jetën artistike nuk e kam arritur vetëm personalisht, por në marrëdhënie pune e krijimtarie të përbashkët me artistë të tjerë dhe madje ansamble të tëra që kanë besuar dhe besojnë ende në kontributin dhe mendim tim artistik”, Gjithashtu nuk harroi të falënderonte edhe institucionet shqiptare dhe ato franceze që mbështesin aktivitetin e TKOB.
Po kështu ambasadorja franceze përmendi edhe kontributet që artisti Kujtim Çashku ka dhënë jo vetëm në fushën e filmit, si regjisor, por edhe si drejtues i një akademie, në përçimin e kulturës dhe vlerave franceze tek studentët, si dhe organizimin e Festivalit Ndërkombëtar të së Drejtave të Njeriut dhe në veçanti aktiviteteve që kanë në qendër të tyre kinematografinë franceze.
Historiku
Urdhri i Palmës Akademike është një urdhër francez kalorësie, i cili i akordohet akademikëve dhe mësimdhënësve. Ky urdhër është themeluar qysh në kohën e Napoleonit për të nderuar anëtarët e Universitetit të Parisit. Ky vlerësim u rifuqizua në 4 tetor 1955 nga Presidenti Rene Coty dhe është një nga çmimet më të hershme civile. Fillimisht ai u jepej vetëm mësuesve dhe profesorëve, ndërsa në vitin 1866 ky çmim mund t’i jepej kujtdo, edhe të huajve që ndikonin në edukimin kombëtar francez, apo përhapjen e kulturës franceze në botë.
Urdhri i Arteve dhe Letrave është një dekoratë nderi franceze, e cila, e menaxhuar nga Ministria e Kulturës Franceze, vlerëson: “individët të cilët dallohen nga kreativiteti i tyre në art dhe literaturë ose për kontributin që ata kanë dhënë për zhvillimin e Arteve dhe Letërsisë në Francë dhe në mbarë botën. Urdhri i Arteve dhe Letrave është vendosur në 2 maj 1957. “E respektuar dhe e dëshiruar nga artistë, shkrimtarë, krijues” sipas formulimit të André Malraux, ky titull ishte një nga katër titujt ministrorë të Meritës. Ndër personalitetet që kanë marrë këtë urdhër mund të përmendim Sherrill Milnes, Ion Caramitru, Rudolf Nureyev, Amanda Lear, George Clooney, Vanessa Paradis, etj.