Kryeziu, me portretet e vendlindjes në Galeri
Piktori kosovar Dalip Kryeziu hap nesër në Galerinë Kombëtare një ekspozitë vetjake. Artisti prezantohet me një koleksion prej 42 punimesh në pikture dhe skulpturë të viteve 2005-2009. Artisti ka përzgjedhur të prezantohet me pjesë nga ciklet e tij piktorikë, “Kokat” (portret nga vendlindja), që përbehet nga 17 punime, “Ditari i humbur”, “Temë fshati”, “Tapeti i fshatit” dhe “Dashuria”. Ka lindur në Kosovë me 1964 në Kosovë. Është autodidakt, por ka qenë nxënës në atelienë e piktorit të njohur shqiptar- Akademikut Muslim Mulliqi. Në vitin 1979 punoi si piktor i portreteve realistë në Kroaci, Itali, Austri. Në vitet 1987-1989 i largohet realizmit dhe i kushtohet artit abstrakt. I mbështetur nga artisti Hugo Wulz hap ekspozitën e parë në Galerinë ROSEGG, në një qytet të vogël austriak afër kufirit me Italinë–Villacha. Largohet nga Austria më 2004 dhe vendoset në Frankfurt–Gjermani ku jeton dhe krijon edhe aktualisht. Kryeziu ka një karrierë të rëndësishme dhe të suksesshme si një artist bashkëkohor, në Gjermani dhe më gjerë. Ai, duke filluar nga ekspozita e parë në Galerinë Rosegg, i ngjiti shkallët e karrierës artistike, duke qenë i pranishëm në shumë ekspozita kolektive dhe vetjake.