E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëvizja e lirë Meta: “Të gatshëm të bashkëpunojmë me opozitën”

Autori i Lajmit: Redaksia
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, duke theksuar rolin e rëndësishëm që ka opozita në procesin e liberalizmit të vizave dhe integrimit në Bashkimin Evropian, e ftoi atë të bëhet pjesë e këtij procesi. “Opozita duhet të kontribuojë për integrimin. Roli i opozitës në procesin e liberalizimit të vizave është i pazëvendësueshëm”,- theksoi Meta në konferencën e djeshme me temë “Regjimi pa viza për Shqipërinë – hapat e fundit”. Më herët në fjalën e tij numri dy i Ekzekutivit ka bërë një rezyme të plotë të gjithë hapave që ka hedhur Shqipëria në rrugën e saj drejt lëvizjes së lirë dhe arritjet e sotme. Meta rendit arritjet e Shqipërisë në kuadër të sigurisë së dokumenteve të identifikimit. Sipas tij, deri më 11 nëntor kemi 259 089 aplikime dhe 250 908 pasaporta të shpërndara. Po ashtu, arritje shënohen dhe në bllokun e dytë që është çështja e menaxhimit të kufijve, dhe në këtë kontekst, miratimi i Strategjisë së përditësuar dhe planit të veprimit për menaxhimin e integruar të kufirit do të shërbejnë për një menaxhim më efikas të kufirit. Ai theksoi dhe luftën kundër krimit të organizuar që përbën dhe një pikë të rëndësishme të bllokut të tretë ku flitet për rendin dhe sigurinë publike. Për sa u përket të drejtave themelore që përbëjnë dhe bllokun e katërt të kushteve, kreu i diplomacisë shqiptare tha se është konsideruar prioritare aspekti i luftës kundër diskriminimit, që përfshin përpjekjet e koordinuara në të gjitha nivelet për ti adresuar fenomenet e vjetra, por dhe të reja, në shoqërinë shqiptare në formën, përmasën dhe vendosmërinë e duhur. “Përpos të gjithë këtyre përpjekjeve për të hartuar këtë paketë të kompletuar ligjore, nënligjore, strategjish, plan veprimesh, rregulloresh, udhëzimesh ne ruajmë të njëjtin ritëm dhe angazhim për të ndjekur dhe siguruar zbatimin efektiv të tyre. Qeveria do të vazhdojë të monitorojë ecurinë e punës në terren, dhe do të marrë të gjitha masat që ky proces të ruajë dinamikën e tij, përtej liberalizimit të vizave. Aktivizimi i plotë i të gjitha grupeve të punës, deri në nivelin më të lartë të Komitetit Ndërministror për Liberalizimin e Vizave do sigurojë rritjen e shpejtësisë së veprimit dhe reagimit ndaj çdo lloj parregullsie apo problemi që haset. Synimi ynë është që i gjithë ky ushtrim i mirëkoordinuar të kthehet në mentalitet të ri pune, për çdo punonjës të administratës”, - tha ai.

Ky lajm është publikuar: 17/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›