E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet e pjesshme KZAZ-të: “PD fituese në 5 njësitë vendore”

Autori i Lajmit: Redaksia
Në pesë njësitë vendore, ku të dielën u zhvilluan zgjedhje të pjesshme për pushtetin vendor, ka përfunduar procesi i numërimit. Në Tiranë zgjedhjet u zhvilluan në njësinë numër 10 dhe KZAZ ka përfunduar në orët e para të mëngjesit të djeshëm procesin e numërimit të kutive të votimit. Nga 4251 vota që kanë rezultuar të vlefshme, 3385 kanë qenë në favor të kandidatit të PD-së, Blendi Fuga, 886 vota kanë shkuar për kandidatin e LSI-së, Gjergji Thomai. Në Fierzë të Bajram Currit, sipas të dhënave nga KZAZ, fitues është Gjelosh Pepkolaj i PD-së me 94% të votave. Ai ka marrë 903 vota nga 958 të vlefshme, ndërsa është votuar në 8 qendra votimi. Mehmet Ponari i LSI-së arriti të marrë vetëm 54 vota, duke humbur kështu me një rezultat të thellë kundrejt rivalit demokrat. Mësohet se materiali zgjedhor ka mbërritur të dielën pas mesnatës në KQZ. Në Bashkinë e Fushë-Arrëzit, rezultatet e numërimit janë bërë të ditura rreth orës 23.00 të së dielës. Fitues ka dalë kandidati demokrat Alfred Qafa me 969 vota, kundrejt kundërshtarit të tij, Dedë Gjergji, i LSI-së, i cili mori 445 vota. Në komunën Otllak të Beratit, 2450 vota ka marrë kandidati i PD-së, Muharrem Hoxha, ndërsa kandidati i Partisë së Punës të Riorganizuar, Viktor Becolli, ka marrë 329 vota, dhe Nasi Gjoka i LSI-së ka marrë 316 vota. Në Bashkinë e Klosit fitues është kandidati i PD-së, Ramazan Mjeshtri, me 2535 vota, ndërsa kandidati i LSI-së, Xhevdet Reçi, ka marrë 990 vota. KQZ pritet që të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve. Ndërkohë procesi është përshëndetur dje nga kreu i PD-së, Sali Berisha, dhe nënkryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto. Për kryeministrin Berisha fitorja e thellë është tregues i qartë që bojkoti i socialistëve do të penalizojë vetëm këta të fundit. “Qytetarët shqiptarë, jo vetëm shprehën besimin, por i dhanë edhe një leksion, për atë që di të lexojë, bojkotit dhe politikave bojkotuese. Qytetarët nuk bojkotojnë. Ky ishte mesazhi i djeshëm i lexuesve në mbarë komunat ku u votua”, - tha Berisha. Edhe LSI vlerësoi rritjen e mbështetjes për të. “Procesi zgjedhor u zhvillua i qetë dhe në përputhje të plotë me legjislacionin e vendit. Kam kënaqësinë të evidentoj se numri i votave të LSI-së në 5 njësitë ku u konkurrua shënoi dje një rritje prej 2.6 herësh, në krahasim me rezultatin e saj në zgjedhjet e 28 Qershorit. (1052 vota - 2702 vota)”, - tha zëvendëskryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto.

Ky lajm është publikuar: 17/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›