E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi – Papa Benedikti XVI vlerësojnë tolerancën fetare në Shqipëri

Autori i Lajmit: Redaksia
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, u takuan dje me Atin e Shenjtë, Papa Benediktin XVI në kuadër të Samitit Botëror të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë së OKB-së, (FAO), i cili po zhvillon punimet e tij mbi “Sigurinë e Ushqimit” në Romë. Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira historike të Shqipërisë me Selinë e Shenjtë, e falënderoi Atin e Shenjtë për ndihmesën e çmuar dhe rolin që Vatikani dhe kisha katolike kanë luajtur për ringjalljen shpirtërore dhe fetare të besimtarëve shqiptarë dhe të parimeve e vlerave të shenjta. Presidenti Topi dhe Ati i Shenjtë vlerësuan harmoninë, tolerancën dhe bashkëjetesën fetare që e shquan vendin tonë për sa u përket marrëdhëniet mes tri besimeve të ndryshme, duke nënvizuar rëndësinë e nxitjes së bashkëpunimit dhe mirëkuptimit midis feve. Ati i Shenjtë vuri në pah lidhjet e vjetra historike e kulturore të Shqipërisë me familjen evropiane, si dhe shprehu mbështetjen e tij të plotë për përmbushjen e aspiratës së popullit shqiptar për tu bërë pjesë edhe zyrtarisht, përveç se gjeografikisht, e Evropës së Bashkuar. Në emër edhe të mbarë popullit shqiptar, presidenti Topi e ftoi Atin e Shenjtë, Papën Benedikt XVI që të vizitojë vendin tonë, ftesë e cila u mirëprit me shumë kënaqësi nga Shenjtëria e Tij dhe kjo vizitë mbetet për tu realizuar në një kohë të përshtatshme. Presidenti Topi u takua dhe u përshëndet ngrohtësisht edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, me Drejtorin e Përgjithshëm të FAO-s, Zhak Diuf, Kryeministrin italian Silvio Berluskoni, me të cilin bisedoi për situatën dhe bashkëpunimin rajonal si dhe për marrëdhëniet dypalëshe, me Presidenti slloven Tyrk, atë brazilian, Lula si dhe me kryetarë të tjerë shtetesh e qeverish, të cilët përfaqësojnë vendet e tyre në këtë Samit të rëndësishëm Botëror për “Sigurinë e Ushqimit”.

Ky lajm është publikuar: 17/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›