E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lohan: “Shqipëria ka mundësitë për të plotësuar kërkesat”

Autori i Lajmit: Redaksia
Ambasadori i Komisionit Evropian, Helmut Lohan, shpreh bindjen se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të plotësuar kërkesat lidhur me liberalizimin e vizave. Gjatë konferencës së djeshme për këtë çështje ai pohoi se KE do të mbështesë këtë proces, ndërsa u kërkoi autoriteteve shqiptare të jenë më aktivë në plotësimin e standardeve, pasi Bashkimi Evropian kërkon një shtet të konsoliduar demokratik. Ai theksoi angazhimin maksimal që duhet të tregojë qeveria shqiptare në realizimin e strategjive të hartuara në kuadër të integrimit evropian të vendit. Gjatë fjalimit të tij, ambasadori i kushtoi një vëmendje të veçantë bashkëpunimit ndërinstitucional me Prokurorinë, bashkëpunim i cili duhet të karakterizohet nga një frymë mirëkuptimi dhe jo konkurrence. “Shqipëria ka formuluar strategji për integrimin, por autoritetet shqiptare duhet të jenë më aktive për realizimin e këtyre strategjive dhe duhet të shkojnë përtej zbatimit të strategjive. Duhet një bashkëpunim midis agjencive të zbatimit të ligjit”, - theksoi Lohan i pranishëm në konferencën për vizat. Sipas tij, Shqipëria ka shënuar progres, veçanërisht në sigurimin e dokumenteve, ndërsa ka shtuar se reformat do të ndiqen hap pas hapi. “Hyrja në BE nënkupton investime. BE kërkon një konsolidim të shtetit demokratik. Ne do të ndjekim çdo hap që do të hedhë Shqipëria”, - theksoi mes të tjerash Lohan.

Ky lajm është publikuar: 17/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›