E Diel, 1 Nëntor 2026

Tadic: Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën

BEOGRAD- Presidenti serb Boris Tadic ka deklaruar në një takim me kancelaren gjermane Angela Merkel, se Gjermania dhe Serbia për fat të keq nuk kanë të njëjtin qendrim për Kosovën, e cila u shpall e pavarur në 2008. Sipas Tadic, vetëm në këtë pikë, Gjermania dhe Serbia kanë mosmarrëveshje, pasi Berlini e ka njohur Kosovën. Tadic përsëriti se Serbia nuk do e njohë kurrë Kosovën, madje deklaroi se në këtë cështje Beogradi do presë vetëm vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të drejtësisë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, ka deklaruar se Serbia ka perspektivë të mirë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Merkel tha se Beogradi duhet të kapërcejë disa pengesa që kanë bllokuar fillimin e procesit të bisedimeve të gjata për anëtarësimin e Serbisë në BE. Njëra prej të cilave është kërkesa e BE-së për një bashkëpunim më të madh mes Serbisë dhe prokurorëve të Hagës për krime lufte. Holanda ka bllokuar Serbinë për fillimin e bisedimeve për anëtarsim pasi Beogradi nuk po arreston kriminelin e luftës, ish gjeneralin e ushtrisë Ratko Mladiç i cili akuzohet për genocid. Merkel tha se do të lobojë mes udhëheqësve të BE-së që janë kundër fillimit të Serbisë për bisedime për anëtarsim, pavaresisht diferencave me Beogradin rreth çështjes së statusit të Kosovës.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›