E Diel, 1 Nëntor 2026

Pakti me Greqinë, Moisiu: Pas amullisë fshihet një qëllim i caktuar

TIRANE- “Marrëveshja mbi përcaktimin e kufirit ujor mes Shqipërisë dhe Greqisë, tregon mangësi profesionale”. Në një intervistë në News24 ish-Presidenti i Republikës Alfred Moisiu, është shprehur se mënyra e hartimit të kësaj marreveshje tregon amulli pas së cilës fshihet një qëllim i caktuar.

“Unë këtë problem gjatë kohës që kam qenë në krye të shtetit dhe më parë kur kam pasur funksione të tjera nuk kam dëgjuar të ketë pasur pengesë në këtë drejtim. Me thënë të drejtën u befasova, nuk di të ketë pasur mangësi në këtë drejtim. Mënyra si është hartuar e si është bërë marrëveshja tregon që ka një amulli pas të cilës fshihet ndonjë qëllim i caktuar. Nuk dua të hedh hipoteza.” theksoi Moisiu.

Duke pranuar ekistencën e hartave, Moisiu thekson se kjo cështje duhet shqyrtuar nga e para nga një grup ekspertësh.

“Rruga e kësaj pune do të ishte që pikërisht këto probleme që kanë dalë në radhë të parë duhet transparencë përpara gjithë popullit shqiptar. Këtu ka dicka që nuk shkon që duhet korrigjuar. Unë them që parlamenti shqiptar, qeveria shqiptare duhet ta shikojnë këtë cështje me shumë kujdes, të mbledhin një komision ekspertësh dhe të pavarur dhe të ulen ta studiojnë problemin ” u shpreh ish presidenti.

Marrëveshja detare me Greqinë u firmos mes dy qeverive në prill të këtij viti dhe u bë e njohur që pas publikimit të fakteve nga Gazeta Shqiptare dhe TVNews24. Sipas zbulimit, mësohet me fakte se marrëveshja cënon ujërat kombëtare në detin Jon me rreth 354.4 km2, të cilat i “dhurohen” fqinjit tonë jugor, Greqisë.
Marrëveshja u miratua nga komisioni parlamentar i ligjeve me 25 shtator, ndërsa pritej të kalonte për miratim në kuvend me 19 tetor. Pas protestave të shumta dhe presionit mediatik, Kuvendi u detyrua të shtyjë ratifikimin.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›