Tadiç refuzon homologun kroat për shkak të Sejdiut
Presidenti serb nuk pranon të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit
Presidenti serb, Boris Tadiç, tha se nuk do të marrë pjesë në inaugurimin e Presidentit të ri të Kroacisë, nëse aty do të jetë prezent edhe Presidenti i Kosovës.Zoti Tadiç tha dje se pjesëmarrja në ceremoni me zotin Fatmir Sejdiu do të ishte një njohje indirekte e pavarësisë së Kosovës.
Zoti Tadiç tha se ai është i gatshëm të marrë pjesë në ceremoni rajonale me Kosovën, vetëm nëse kjo e fundit referohet si Misioni i Përkohshëm i OKB-së në Kosovë.
Serbia ka refuzuar njohjen e pavarësisë së Kosovës, që kur ajo u shkëput nga Serbia në vitin 2008.Kompozitori kroat dhe profesori i drejtësisë, Ivo Josipoviç, fitoi zgjedhjet presidenciale të Kroacisë këtë javë. Ai do të zëvendësojë Stipe Mesiç në shkurt.
Zoti Tadiç tha dje se marrëdhëniet e Serbisë me Kroacinë janë përkeqësuar gjatë muajve të fundit, për shkak të atyre që ai i quajti veprime provokative të Presidentit Mesiç.
Kroacia ka akuzuar serbët se kanë kryer gjenocid gjatë luftës në Ballkan, në fillim të viteve 1990.Kroacia ka argumentuar gjithashtu para Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë se Kosova kishte të drejtën ligjore të shkëputej nga Serbia.
#