E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadiçi në Kosovë me leje të Qeverisë

PRISHTINE-Vizita e presidentit të Serbisë, Boris Tadiç nesër në Kosovë do të bëhet me lejen e Qeverisë kosovare. Për këtë vizitë, ekzekutivi kosovar thotë se ka pasur kërkesë për lejimin e tij që gjatë krishtlindjeve ortodokse, ai të qëndrojë në Pejë e Decan.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se vizita e tij ka marrë pëlqimin e ekzekutivit, pasi sipas tij, vizita ka karakter fetar.
“Tadiçi ka kërkuar leje nga zyra e BE-së në Beograd, ajo leje është dërguar në zyrën e BE-së në Prishtinë, e më pas zyra e ka dërguar në Qeveri. Qeveria i është përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese, pasi është interesuar dhe se vizita ka të bëjë me karakter fetar”, ka thënë Kuçi sot, pas mbledhjes së Qeverisë.

Megjithëse e konsiderojnë si vizitë të karakterit fetar, përvoja e sjelljes së zyrtarëve serbë në Kosovë, ka treguar se ata i përdorin për deklarata politike.
“Kemi marrë garanci ndërkombëtare se Tadiçi nuk do ta përdorë vizitën për çështje politike”, ka thënë Kuçi, megjithëse nuk e përjashton një mundësi që Tadici prapë të japë deklarata politike.

Në delegacionin e Tadiçit do të jetë edhe Gora Bogdanovic, po ashtu me leje të Qeverisë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›