1000 ditë duke kërkuar drejtësi dyerve të gjykatës
Gjurmimi i historive njerëzore që fshihen pas padive të Shkaktim Dëmit në Gjyaktën e Tiranës, e çoi Gazetën IDEA në gjurmët e një prej problemeve më të mëdha të qyetarëve shqiptar, pasiguria e jetës. Mund të jesh duke kaluar në trotuar dhe të të rrezikohet jeta nga kantierët e ndërtimit që punojnë jashtë standarteve të sigurisë apo të jesh fatkeq dhe të të bjerë një nga të shumtat depozita të vendosur në çatitë apo tarracat e pallateve. Mund të jesh duke ngarë makinën dhë të pësosh aksident si pasojë e mungesës së sinjalistikës, ose mund ta dëmtosh atë në ndonjë nga pusetat, kapakët e të cilave janë marrë për skrap. Me këto dhe shumë rreziqe të tjera përballen çdo ditë qytetarët shqiptar. Rreziqe që në mjaft raste u kanë kushtuar jeten dhe për këtë nuk ka mbajtur askush përgjegjësi.
Por tragjikisht mund të ndodh të jesh 7 vjeç dhe kur gjithcka vërdall të të duket lodër, të ngatërrosh një kabinë elektrikë për një shtëpi kukulle dhe të humbasësh jetën në të. Ky është rasti që gazeta jonë do të bëjë publik sot. Mariglen Sula, fëmija 7 vjeçar humbi jetën nga zënia e korentit, në një kabinë elektrike e lënë e hapur, pa çelës dhe pa derë. Ngjarja që i mori jetën vogëlushit ndodhi me 26 Prill 2008 ndërsa Alime Sula, e ëma e tij kërkon drejtësi për vdekjen e tij dyerve të Gjykatës së Tiranës, që nga Maji i vitit 2009.
Alime Sula banuese në Kodër Kamëz, ka paditur Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes të Energjisë Elektrike (OSSH) me objekt detyrimin e palës së paditur për përgjegjësinë jashtëkontraktore për vdekjen e fëmijës 7 vjeçar Mariglen Sula nga zënia e korentit për shkak të mosmarrjes së masave të sigurimit teknik duke lënë kabinën me trasformator pa derë dhe pa çelës e masa të tjera sigurimi.
OSSH ka detyrmin ligjor të marrë masa sigurie në kabinat e energjisë elektrike që përbëjnë rrezik për qytetarët, një detyrim ligjor që në rastin konkret nuk e ka përmbushur. Si pasojë e këtij neglizhimi ligjor një fëmijë humbi jetën.
Çështja gjyqsore ka kaluar deri më tani në 27 seanca dhe me ndarjen e kompetencave mes OSSH dhe CEZ shpërndarje eshtë komplikuar më tej procesi. Kanë kaluar mbi 1000 ditë që kur kjo çështje është depozituar në Gjykatën e Tiranës, ndërkohë që mesatarja e cështjeve më të njëjtin objekt është vetëm 330 ditë. Koha sigurisht që më shumë nga të gjithë u rëndon familjarëve, që u duhet të presin ende për të mësuar në do të ngelet jetime apo jo përgjegjësia për vdekjen e vogëlushit. Ndërkohë për sa kohë ngjarje të tilla janë ende pjesë e realitetit shqiptar ajo çka ngelet të bëjmë është të lëmë menjëanë luksin e të qënurit të shkujdesur dhe të rrisim në maksimum vigjilencën sepse bashkëjetsa me rrezikun mund te rezultojë fatale.
Matilda Alku/IDEA
Shkrime të tjera me interes:
- “Hakmarrja për Drejtësi”, Kushtetuesja rrëzon vendimin e Gjykatës së Lartë Tiranë- Vendimi i Gjykatës së Lartë në lidhje me çështjen...
- Kompanitë e Sigurimeve- Beteja për drejtësi dhe me drejtësinë vazhdon… Tiranë- Gjykata e Tiranës shqyrton çdo ditë dhjetra padi shkaktim...
- Përmbytjet në Filipine, më shumë se 1000 të zhdukur Filipine- Qeveria e Filipineve bëri me dije se 1079 persona...