E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tadiqi - në vendin e krimit

14/02/2005  Në vend se të gjunjëzohet para varreve të shqiptarëve që i vrau policia dhe ushtria serbe, në vend se të kërkojë falje publike për gjenocidin ndaj shqiptarëve, kryetari i ushtrisë e i policisë kriminale të Serbisë jep deklarata arrogante, në vendin e krimit, duke mos e pranuar realitetin e ri.

Vizita e kryetari serb në Kosovë, pavarësisht ftesës që ia ka bërë Peterseni, pavarësisht se është konceptuar mbase si përpjekje për thyerjen e akullit në mes të kryeneçësisë arrogante serbe dhe përpjekjeve ndërkombëtare për të filluar një faze të re, ishte skandal. Një takim i ngjashëm ka mundur të mbahet në Vjenë, në Bruksel apo në ndonjë vend të tretë, por të mbahet në Kosovë është tepër e ngutshme, ndërsa moralisht lëndon të gjithë shqiptarët. Shumë varre na ndajnë me Serbinë. Kujtimi për humbjet e mëdha që pësuan shqiptarët është ende tepër i freskët. Pritja e tensionuar e familjarëve të të zhdukurve, vetëm sa po rritet. Popullata e Kosovës ende nuk po mund të rehabilitohet nga pasojat e luftës që e bëri Serbia. Prandaj, të pranohet një kryetar serb në Kosovë apo të lejohet që të shëtisë nëpër fshatra a qytete, sikur të ishte në territorin e vet, është hap i nxituar nga UNMIK-u.

Pavarësisht nga qëllimi kjo vizitë ishte provokim për shqiptarët dhe trimërim për serbët e instrumentalizuar, që edhe më tutje janë vetëm figurantë të Serbisë. Integrimi i tyre në Kosovë nuk bëhet me deklarata arrogante të një Tadiçi, apo me përkëdhelje të vazhdueshme, sikur ata të ishin viktima e jo shqiptarët që pësuan aq shumë.

Ky duhet të jetë opinioni i shqiptarëve të Kosovës. Ky do të duhej të jetë edhe qëndrimi i institucioneve të Kosovës dhe i partive politike, që pretendojnë të jenë zëdhënëse të opinionit të këtushëm. Mirëpo, në përpjekjet për të mos u acaruar me politikën ndërkombëtare (shqiptarët e Kosovës gjithmonë ishin të gatshëm për zgjidhje paqësore dhe shkëputje paqësore nga Serbia, por Serbia nuk mendonte dhe nuk mendon kështu), institucionet e Kosovës, por edhe partitë politike e heshtën këtë vizitë, që në gjuhën diplomatike shihej qartazi se nuk e tumirën. Natyrisht se kjo vizitë nuk varej prej tyre, edhe sikur ta kundërshtonin. Por as përgjegjësinë për eksese nuk e marrin mbi vete. “Reagimi” i kryetarit të “Orës” ishte më shumë tumirje e vizitës se Tadiçit sesa kundërshtim për ardhjen e tij në shtet të huaj. Propozimi që ai të vizitojë nënat e të vrarëve, është gjëja më e tmerrshme që do të bëhej. Kryetari i ushtrisë kriminale që edhe më tutje i lejon këta kriminelë të bredhin nëpër shtetin e tij, është diçka e pabërë që të takohet me nënat a motrat e të vrarëve shqiptarë. Kjo ide ishte një pjellë e çoroditur e një njeriu destruktiv.

Janë shumë arsye për një mospranim të këtillë. E para, ky zyrtar serb është kryetar i po asaj policie e ushtrie e cila ka bërë aq shumë krime në Kosovë, duke masakruar mijëra civilë të moshave të ndryshme. E dyta, një pjesë e të vrarëve apo të zhdukurve ende janë në Serbi dhe po i njëjti kryetar bën tregti politike me të zhdukurit, duke kërkuar koncesione nga zyrtarët ndërkombëtarë. E treta, as ai dhe asnjëri prej zyrtarëve të tij nuk pati forcë morale, as gatishmëri njerëzore të kërkojë falje publike për masakrat dhe gjenocidin serb që bëri ushtria e policia e tyre në Kosovë. E katërta, një përulje për turpin që e bënë në Kosovë, nuk e bëri as pas vizitës në vendin e krimit.

Përkundrazi, në vend se të gjunjëzohet para varreve të shqiptarëve që i vrau policia dhe ushtria serbe, në vend se të kërkojë falje publike për gjenocidin ndaj shqiptarëve, kryetari i ushtrisë e i policisë kriminale të Serbisë jep deklarata arrogante, në vendin e krimit, duke mos e pranuar realitetin e ri. Ai edhe më tutje fsheh mijëra kriminelë në Serbi, disa prej të cilëve madje thuhet se i ka dekoruar, apo shpërblyer me pensione të majme. Dhe i njëjti njeri vjen në Kosovë, për të provokuar më shumë sesa për të shtensionuar situatën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›