E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mos ulni vlerën e kompensimit

14/02/2005  Më 24 shkurt BE merr në pyetje Shqipërinë për pronat

Në datën 24 shkurt, anëtarët e Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave si dhe përfaqësuesit e Qeverisë, do të raportojnë pranë grupit të punës së Bashkimit Evropian, mbi reformat e bëra mbi të drejtën e pronës. Burimet kanë bërë të ditur se, nga Komiteti i Pronave, do të ketë disa mendime dhe nuk do të jepet vetëm qëndrimi i kryetarit. Kjo, dhe për shkakun se çështja e kthimit dhe kompensimit të pronave, është cilësuar si një element tepër i rëndësishëm. Anëtarët e Komitetit të Pronave, do të përgjigjen kryesisht mbi ngritjen e strukturave vendore, miratimin e çmimeve, të rregullores së funksionimit të komisioneve si dhe të zbatimit të afateve të dhëna në ligj. Ndërsa, anëtarët e qeverisë do të japin llogari mbi caktimin e akteve nënligjore, paraqitjen e hartës së tokave të lira, të ndërmarrjeve shtetërore që do të përdoren për kompensimin e ish-pronarëve si dhe mbi fondin që do të caktohet për kompensimin e ish-pronarëve. Burimet kanë bërë të ditur se, për të sjellë një raport më konkret për këtë çështje, është kërkuar koordinimi i punës i disa institucioneve që kanë lidhje me këtë çështje.

Shoqata "Pronësi me Drejtësi" kërkon që shteti të mbajë koston e legalizimeve dhe jo ish-pronarët

Këtë javë, Gjykata Kushtetuese merr vendim për ligjin e kthim-kompensimit

Shoqata e ish-pronarëve ka deklaruar dje se, nuk do të pranojë vendime politike në dëm të tyre, gjatë procesit të legalizimit të ndërtimeve të paligjshme. Në një prononcim të dhënë dje për shtypin, Agim Toro, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës "Pronësi me Drejtësi", është shprehur se ish-pronarët duhet të marrin kompensimin e drejtë dhe kur bëhet fjalë për zonat informale. Ndërsa, është shteti që duhet të rregullojë çështjen se sa do të paguajë një ndërtues i paligjshëm. Toro, ka hedhur poshtë idenë që kosto për uljen e shpenzimeve të ndërtuesve të paligjshëm, të bjerë në kurriz të ish-pronarëve. Për këtë pikë, ai theksoi se do të ndërmerren të gjitha hapat për të mbrojtur interesat kushtetuese të ish-pronarëve. Nga ana tjetër, Toro është shprehur se Metodika e paraqitur nga Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, nuk ka të bëjë me procesin e legalizimeve. Sipas Toros, Komiteti vendos për çmimin e tokës në procesin e kthimit dhe kompensimit, por politika ka të drejtën që të rregullojë çmimet në procesin e legalizimit të ndërtimeve të paligjshme.

Ish-pronarët

Anëtarët e shoqatës "Pronësi me Drejtësi", kanë shprehur shqetësimin se nga qeveria nuk janë marrë hapat e parashikuara për miratimin e akteve nënligjore, dhe të përcaktimit të tokave të lira, që do të përdoren për kompensimin e ish-pronarëve. Shoqata "Pronësi me Drejtësi", është shprehur se ndryshe nga sa ishte premtuar, ende nuk është dhënë fondi i duhur për kompensimin financiar të ish-pronarëve. Një tjetër pikë kyçe është vlerësuar fakti se, nuk dihet inventari i ndërmarrjeve me kapital shtetëror që do të shërbejë për kompensimin e ish-pronarëve. Duke e cilësuar ligjin të pazbatueshëm, ish-pronarët i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese, për ta rrëzuar atë. Sipas tyre, vetëm kur toka të kthehet tek i zoti, do të kemi një zgjidhje përfundimtare të kësaj çështjeje dhe më një kosto tepër të ulët.

Legalizimi

Ish-pronarët janë shprehur të shqetësuar pas deklaratës së zëvendëskryeministrit, Namik Dokle se, për zonat informale, do të ketë një tjetër metodikë të vendosjes së çmimeve. Deklarata e Dokles, është mbështetur dhe nga një sërë partish të tjera politike. Por, për ish-pronarët, ka mbetur ende e paqartë se cili do ti mbulojë humbjet që mund të dalin mes kompensimit të ish-pronarëve dhe personave që do të paguajnë truallin e zënë. Sipas pretendimeve, ish-pronarët duhet të marrin kompensim sipas vlerave të dhëna nga komiteti i pronave, ndërsa ndërtuesit e paligjshëm duhet të paguajnë me një vlerë më të ulët. Për pronarët e tokës, problemi qëndron nëse vendoset që ish-pronarët do të marrin kompensimin me vlera të tjera nga ajo që është parashikuar në metodikën e kthimit dhe kompensimit të pronave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›