Tafaj; Diploma të binjakëzuara Shqipëri-Kosovë
Ministri i Arsimit hedh në diskutim mundësinë e binjakëzimit të universiteteve dhe diplomave në dy vendet shqipfolëse si një mundësi e prekjes së realitetit të dy vendeve nga të rinjtë. Deklarata, gjatë takimit me zëvendësministrin e Arsimit të Kosovës, z. Agim Hyseni
Binjakëzimi i universiteteve dhe i diplomave mes Shqipërisë dhe Kosovës ka qenë në qendër të diskutimeve mes delegacioneve të Ministrive të Arsimit të dy shteteve shqiptare, të kryesuara nga ministri i Arsimit i Shqipërisë, z. Myqerem Tafaj, dhe zëvendësministri i Kosovës, z. Agim Hyseni. Gjatë vizitës së një delegacioni të MASH-it të Kosovës dje në Tiranë, ministri Tafaj theksoi se duhet të bashkëpunohet për të arritur binjakëzimin e shkollave e të diplomave të larta mes dy vendeve.
“Të rinjtë e Shqipërisë dhe Kosovës duhet të prekin realitetet e të dy vendeve. Ne duhet të krijojmë mundësi më të mëdha për shkëmbimin më të thellë të nxënësve dhe studentëve. Gjimnazistët shqiptarë duhet të njohin nga afër shkollat e mesme në Kosovë dhe anasjelltas. Ka ardhur koha që të rinjtë të njihen jo vetëm me vendet turistike të Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe me shkollat e tyre, duke krijuar kështu një traditë të re për të dy vendet tona”, - tha ministri Tafaj.
Zv.ministri Hyseni i paraqiti Ministrit Tafaj një tablo të ecurisë së zhvillimit të arsimit në Kosovë si dhe të fushave të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kosovës.
Ministri Tafaj pasi i uroi mirëseardhjen delegacionit kosovar, vlerësoi se arsimi shqiptar gjatë mandatit të parë të qeverisë Berisha ka pësuar një ndryshim tërësor.
“Politika jonë i jep përparësi zhvillimit të shpejtë të arsimit dhe kjo përparësi është shoqëruar me reforma të thella. Qeveria “Berisha” gjatë mandatit të parë e pati në krye të listës së prioriteteve arsimin dhe kjo gjë do të vazhdojë edhe gjatë mandatit të dytë”, - tha Tafaj.
Një theks të veçantë ministri Tafaj vuri edhe mbi shkëmbimin e eksperiencave në arsimin parauniversitar të të dy vendeve. Gjatë kësaj vizite delegacioni kosovar do të zhvillojë takime pune në shumë institucione të varësisë së MASH-it në Shqipëri. Ideja e binjakëzimit të diplomave universitare mes dy vendeve ishte hedhur edhe disa vite më parë nga ish-ministri i Arsimit në Shqipëri, z. Genc Pollo, por deri më sot nuk është realizuar.
Ndërkaq, universitetet shqipfolëse në rajonin e Ballkanit kanë themeluar një rrjet të tyre të përbashkët, të quajtur Rrjeti i Universiteteve Shqipfolëse, ku bëjnë pjesë të gjitha universitetet publike të Shqipërisë, Universiteti i Prishtinës, Universiteti Shtetëror i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë dhe disa universitete private nga Shqipëria dhe Kosova.