E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacioni “Çmontimi”, Policia e Tiranës arreston pesë persona



Policia e Tiranës ka goditur një bandë, e cila merrej me grabitjen e automjeteve, duke vënë në pranga pesë persona. Ndërkohë që katër persona të tjerë janë shpallur në kërkim nga policia, ndërsa një prej pjesëtarëve të grupit ndodhet në qeli i akuzuar për pengmarrje. Sipas burimeve zyrtare, grupi ishte i specializuar në grabitjen e makinave të llojit “Mercedes Benz”. Hetuesit kanë arritur që të dokumentojnë tetë grabitje të automjeteve të kryera vetëm gjatë një muaji. Denoncimet e shumta nga ana e qytetarëve për vjedhjet e makinave, bënë që policia e Tiranës të niste hetimet. Pas marrjes së informacioneve në lidhje me veprimtarinë kriminale të grupit, u organizua operacioni “Çmontimi”, ku u vunë në pranga gjashtë persona. Të gjithë të ndaluarit kanë qenë me precedentë penalë, pasi kanë qenë të dënuar për vjedhje. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.4 arrestuan 26-vjeçarin Gazmir Ngota, banues në Babrru, 20-vjeçarin Sajmir Rexhepi, banues në Laç, adoleshentët me inicialet A.F., 16 vjeç, K.S., 16 vjeç dhe 17-vjeçarin A.A., të tre banues në Tiranë. Akuza iu komunikua edhe 19-vjeçarit Liridon Frroku, banues në Tiranë, i cili aktualisht vuan dënimin për pengmarrrje në Fushë-Krujë. Ndërkohë, sipas burimeve zyrtare, janë shpallur në kërkim edhe 4 bashkautorët e tjerë të këtij grupi kriminal, të cilët tashmë janë identifikuar dhe po punohet për arrestimin e tyre. Sipas burimeve nga policia, autorët e dyshuar, kryesisht vepronin në Tiranë gjatë orëve të vona të natës, duke realizuar vjedhjet e automjeteve kryesisht të tipit “Benz”. Më pas automjetet e vjedhura i dërgonin për shitje apo çmontim të pjesëve në qytetin e Korçës dhe në Laç. Të rinjtë u shoqëruan në qelitë e paraburgimit. Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale të “vjedhjes më shumë se një herë”.

Vjedhjet

Në bazë të hetimit të kryer, policia mundësoi dokumentimin ligjor të tetë vjedhjeve të kryera brenda një muaji. Më datë 13 tetor 2009, në rrugën “Sadik Petrela”, dyshohet se grupi ka realizuar vjedhjen e automjetit tip “Benz”, me targa TR 3360 A, ndërsa më 26 tetor 2009, në Qendrën Spitalore Universitare, dyshohet se kanë realizuar vjedhjen e automjetit tip “Benz” me targa TR 3347 J, në pronësi të një shtetasi. Një ditë më vonë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dyshohet se kanë realizuar vjedhjen e automjetit tip “Benz” me targa TR 0559 F, më datë 28 tetor në rrugën “Njazi Meka”, dyshohet se kanë vjedhur mjetin tip “Benz” me targa TR 7982 H, në pronësi të një shtetasi. Më datë 27 tetor 2009, në rrugën “Ali Baushi” dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë realizuar vjedhjen e automjetit tip “Benz” me targa TR 7743 F, ndërsa më datë 24 tetor 2009, në afërsi të Unazës së Re dyshohet se kanë realizuar vjedhjen e automjetit tip “Benz” me targa TR 4412 I. Më datë 18 tetor 2009, në afërsi të stacionit të trenit, dyshohet se kanë realizuar vjedhjen e automjetit tip “Benz” me targa KO 4228 A, kurse grabitja e fundit ka qenë më 4 nëntor në rrugën “Njazi Meka”, ku dyshohet se kanë vjedhur automjeti tip “Benz” me targa TR 1621 H. Gjatë operacionit u sekuestruan edhe pesë automjete të tipit “Mercedes Benz”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›