E Shtunë, 31 Tetor 2026

Varfëria, armiku i shqiptarëve

Filloreta Kodra 

Qeveria e kryeministrit (ashtu siç përsërit ai vetë shpesh në daljet e përditshme në media), në muajin shkurt do të aplikojë për kandidaturën në BE, një lajm shumë i gëzuar për të gjithë shqiptarët, sipas kryeministrit, por që nuk u jep përgjigje disa pyetjeve jetike për shumë shqiptarë; A do të kenë më tepër të ardhura në muaj ata që jetojnë me 2 USD në ditë, sa e ka përcaktuar qeveria nivelin e varfërisë? A do të kenë më tepër shërbime, por edhe të holla pensionistët? A do të kenë mundësi punësimi të rinjtë që mbarojnë shkollat e larta dhe e fillojnë jetën duke u regjistruar (shumica as këtë nuk e bën) në listat e të papunëve? A do të jetojnë më mirë personat me aftësi të kufizuara? Dhe në përgjithësi a do ta heqë dot Shqipëria "vulën" e vendit më të varfër në Europë?
Shqipëria, pjesë e Europës, vazhdon të mbesë një ëndërr për shqiptarët dhe një mirazh që sa vjen e largohet. Një studim i EUROSTAT-it vlerësonte se në 100 vjetët e fundit, Shqipëria, jo vetëm që ka mbetur vendi më i varfër në Europë, por është larguar akoma më tepër prej saj, duke thelluar diferencën e të ardhurave të qytetarëve, me fjalë të tjera, Shqipëria jo vetëm që është vendi më i varfër në Europë, por krahasuar me Europën është edhe më e varfër se çka qenë 100 vjet më parë. Ndërkohë që zyrtarisht  vlerësohet se 59.9% e popullsisë shqiptare është e vetëpunësuar, sepse jeton në fshat, studime e anketa tregojnë se pikërisht këtu ku jeton edhe pjesa më e varfër e popullsisë, e cila edhe trajtohet me ndihmë ekonomike nga shteti, por akoma më e mprehtë dhe e thellë është varfëria në qytet, ku të varfrit nuk kanë asnjë mundësi tjetër përveç ndihmës nga shteti, që mesatarisht është 3500 lekë në muaj (1.5 bukë në ditë).
Ndërsa shqetësimi i parë i shumicës së shqiptarëve që kur hapin sytë në mëngjes është të mendojë si do të ushqejë fëmijët, Berisha del para shqiptarëve çdo ditë për t'u prezantuar "fitoret" e qeverisë së tij, por kjo nuk shton asgjë në tryezat e shqiptarëve të varfër që vazhdojnë të varfërohen me shpejtësi. Nuk mjafton entuziazmi dhe as "aplikimet" e kryeministrit që ne ta ndjejmë veten pjesë e Europës, ne kemi nevojë të shohim e të ndjejmë realitetin europian në shtëpinë tonë, në tavolinat tona, të të gjithë shqiptarëve e jo vetëm për disa të privilegjuar, siç e tregojnë studimet që pasqyrojnë rritje të varfërisë relative, ose ndryshe thellimin e pabarazisë sociale, ku ndërsa një pjesë e vogël e qytetarëve pasurohen gjithnjë e më tepër, pjesa më e madhe e popullsisë varfërohet gjithnjë e më shumë.
Varfëria është armiku i parë e kryesor i shqiptarëve, ai që po i detyron të marrin rrugët e mërgimit edhe kur ato bllokohen nga bora, të shpenzojnë në lojërat e fatit edhe qindarkat e fundit, të përdorin alkoolin e të vrasin veten siç na e prezantojnë çdo ditë mediat e shumta. Kryeministri ynë që na premtoi "strategjinë e kafshatës" së cilës tani i ka "humbur vula", e ka gjetur zgjidhjen e problemit të varfërisë, duke ulur numrin e familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike nga shteti, nuk ka "gjetur" akoma se si do të jetojnë ata që marrin apo nuk do të marrin më asnjë lloj ndihme, por për ta nuk shqetësohet kryeministri se nuk ekzistojnë në regjistrat e tij. Korrupsioni, politikat klienteliste dhe pa vizion të qeverisë Berisha, e kanë privuar shumicën e shqiptarëve nga mundësitë e zhvillimit, kanë vënë barriera klienteliste e korruptive për zhvillimin e bizneseve larg apo jashtë klaneve qeveritare dhe kanë varfëruar deri në mjerim 20% të shqiptarëve, të cilët mund të kthehen shumë shpejt në 40% (kufiri ndarës ndërmjet tyre është shumë i vogël), për shkak të indiferencës së qeverisë dhe ndikimit të krizës globale që ka prekur globin.
Jetesa dinjitoze dhe mirëqenia e të gjithë shqiptarëve, të atyre që kanë, por sidomos e atyre që nuk kanë është preokupimi kryesor i LSI, që Ilir Meta e shpalli në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Prioriteti, udhërrëfyesi dhe objektivi parësor i LSI në qeverisje do të jetë nxjerrja e vendit nga varfëria përmes "zhvillimit ekonomik të vendit dhe punësimit". Është hera e parë që një parti politike artikulon qartë e me zë të lartë se lufta kundër varfërisë dhe rritja e mirëqenies së qytetarëve është preokupimi madhor qeverisës e zhvillues, një preokupim që fillon me shqetësimin që të gjithë shqiptarët të kenë mundësi të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre, si ata që punojnë, ashtu edhe ata që nuk e kanë apo nuk u është krijuar kjo mundësi në këto vjet. Kjo politikë është larg çdo barazitizmi e barazie, sepse bazohet në funksionimin e një shoqërie të mirëqenies sociale të bazuar në ekonominë e tregut dhe në parimin e solidaritetit e ndihmës reciproke për më të dobëtit. Mjet i përkohshëm i lehtësimit të varfërisë, që është bërë barrë e rëndë për shumicën e shqiptarëve është "bonusi jetik", domethënë sigurimi nga ana e shtetit të mjeteve më të domosdoshme për një jetë dinjitoze për më të varfrit që nuk kanë asnjë mjet e mundësi tjetër jetese. Dhënia e bonusit më të varfërve dhe atyre në nevojë do të shoqërohet me masa të tjera nxitëse të pjesëmarrjes në punë publike e aktivitete sociale, të krijimit e nxitjes së bizneseve të vogla për rritjen e punësimit, që do të bëjnë të mundur krijimin dhe forcimin e një klime bashkëpunimi e ndihme reciproke në shoqërinë shqiptare. Është ky thelbi i orientimit politik të LSI si forcë progresiste që synon forcimin e solidaritetit dhe kohezionit social, rritjen e bashkëpunimit, nxitjen e zhvillimit dhe vendosjen e besimit reciprok ndërmjet shtetit rregullator e shtetasve që paguajnë taksa, respektojnë ligjin dhe ndihmojnë në forcimin e shtetit. LSI i ka shpallur luftë varfërisë; sepse lufta kundër varfërisë është lufta për respektimin e qytetarit, jetës dhe lirisë së tij dhe njëkohësisht zbatimi i masave e veprimeve ligjore për rregullimin e forcimin e shtetit në shërbim të qytetarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›