Dritat bllokojnë teleferikun
Etleva DeliaNjë grup gjimnazistësh dhe disa turistë u bllokuan dje për disa orë në Malin e Dajtit, pasi teleferiku doli jashtë funksionit nga ndërprerja e energjisë elektrike. Një defekt elektrik në transformatorin që furnizon me energji zonën e Linzës në Tiranë, ka bllokuar lëvizjen e teleferikut që shkon drejt malit të Dajtit. Si rrjedhojë e defektit, rreth 50 nxënës të gjimnazit “Partizani” dhe disa persona të tjerë, janë bllokuar në të ftohtë për disa orë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:40 dhe mësohet se në momentin e fikjes së dritave, teleferiku nuk ka qenë në lëvizje. Një grup oficerësh nga Komisariati Nr.4 i kryeqytetit, janë nisur për te stacioni i teleferikut, për të verifikuar se çfarë kishte ndodhur konkretisht. Pasi kanë komunikuar me përfaqësues të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë, është konstatuar se fikja e dritave në atë zonë, kishte ardhur si pasojë e një defekti që do të riparohej shumë shpejt. Burime nga policia thanë se asnjë person nuk ka mbetur brenda në teleferik në momentin që është ndërprerë energjia, por të gjithë ndodheshin në malin e Dajtit, duke pritur që të niseshin për të zbritur në stacion. Të njëjtat burime sqaruan se gjithçka është aksidentale dhe shkëputja e energjisë elektrike për gati një orë nuk ka qenë i qëllimshëm, por thjesht një defekt elektrik. Por për të shmangur çdo incident dhe për t’iu ardhur në ndihmë gjimnazistëve e personave të tjerë të bllokuar në mal, disa furgona policie janë nisur në drejtim të vendit ku ndodheshin personat e bllokuar. RIKTHIMI I ENERGJISENdërprerja e furnizimit me energji elektrike në të gjithë zonën e “Freskut” dhe Linzës në Tiranë ka zgjatur pothuajse një orë, nga ora 19:00 deri në orën 20:00. Oficerët e policisë kanë kontaktuar disa nga personat që punojnë tek teleferiku, si dhe administratorin, të cilët kanë pohuar edhe vetë që gjithçka është thjesht një defekt elektrik dhe asgjë nuk është e qëllimshme. Gjithashtu në momentin kur energjia elektrike është rikthyer oficerët e policisë janë lidhur me punonjësit e teleferikut që ndodhen në stacionin në Dajt, aty ku ishin bllokuar 50 persona, për t’u siguruar nëse mund të niste udhëtimi me teleferik për në stacionin qendror. Pas kthimit të energjisë, nxënësit refuzonin që të hipnin sërish në teleferik, për shkak të panikut pasi kishin frikën e një shkëputjeje tjetër të energjisë. Burime nga policia thanë se është biseduar pothuajse me të gjithë personat që ndodheshin të bllokuar, për të negociuar që të nisnin udhëtimin për të zbritur me teleferik, duke qenë se rruga automobilistike është e vështirë për t’u kaluar si pasojë e ngricave. Edhe pas kësaj nxënësit nuk janë bindur, duke thënë që do të presin furgonët dhe të kthehen me makinë poshtë.