E Diel, 1 Nëntor 2026

Tafaj në Vjenë “Shqipëria në korrik kryeson procesin e Bolonjës”

Autori i Lajmit: Redaksia

Shqipëria do të jetë në krye të procesit të Bolonjës në 6-mujorin e dytë të këtij viti. Së bashku me Belgjikën ajo do të kryesojë këtë proces. Pikërisht diskutimi i Procesit të Bolonjës ishte në qendër teë diskutimit në takimin e zhvilluar në Austri mes 47 ministrave të Arsimit. Në takimin dy ditor të mbajtur fillimisht në Budapest dhe më pas në Vjenë, ministrat e Arsimit të vendeve që aderojnë në Procesin e Bolonjës, kanë diskutuar mbi përparësitë e këtij procesi. Ministri shqiptar i Arsimit dhe Shkencës, Tafaj vlerësoi se arsimi parauniversitar dhe ai i lartë në Shqipëri në këto vite ka pësuar reforma të thella. Ministri Tafaj në kuadër të këtij procesi, ka kërkuar dhe ka lobuar fort për liberalizimin e vizave për studentët shqiptarë. Ai ka kërkuar gjithashtu dhe aderimin e Kosovës dhe të vendeve të tjera aspirante në Procesin e Bolonjës.
Takimi
“Në këto vite është rritur ndjeshëm numri i studentëve, është zgjeruar arsimi privat cilësor, janë shpallur strategji afatgjata për rritjen e investimit total, publik dhe privat, është shtrirë internet në çdo shkollë e universitet e janë hartuar strategjitë e arsimit të lartë e kërkimit shkencor, teknologjisë e inovacionit sipas tendencave evropiane”, - tha Tafaj gjatë takimit të ministrave të Arsimit në Austri. Sipas tij Shqipëria ka bërë përpjekje serioze dhe sistematike për reformimin e kurrikulës dhe strukturës së studimeve të Arsimit të Lartë në përputhje më parimet e Procesit të Bolonjës dhe Universitetet shqiptare kanë një bashkëpunim intensiv me rajonin e më gjerë, në kuadër të programeve të BE. “Mobiliteti i studentëve zhvillohet kryesisht në kuadër të programit TEMPUS dhe Erasmus Mundus, por ai është i pamjaftueshëm. Regjimi i vizave është një pengese nganjëherë serioze për mobilitetin e studentëve dhe pedagogëve. Ky është një argument më shumë për liberalizimin e vizave aq më tepër që Shqipëria ka bërë një progres evident në përmbushjen e kritereve të kërkuara”,- u shpreh Tafaj. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në sfidën kryesore afatgjatë, atë të rritjes së cilësisë në arsimin shqiptar, vlerësoi se objektivi kryesor në Arsimin e Lartë është arritja e standardeve evropiane jo vetëm në akses por edhe në cilësinë e studimeve. Më tej Tafaj duke përshëndetur aderimin e Kazakistanit si vendi i 47 i Procesit të Bolonjës, kërkoi gjithashtu edhe pranimin e Kosovës në të. “Republika e Kosovës ka ndërtuar politikat e Arsimit të Lartë mbështetur në principet e Bolonjës. Sa kohë Ministri i Arsimit të Kosovës nuk do të ftohet në këtë tavolinë, studentët dhe profesorët e këtij vendi të pavarur do ta lexojnë këtë mesazh si barrierë për mobilitetin e tyre dhe bashkëpunimin me homologët në Evropë. Ne mendojmë se duhet gjetur rruga me adeguate për ti krijuar Republikës së Kosovës dhe vendeve të tjera aspiruese mundësinë e aderimit në Procesin e Bolonjës”, - tha Tafaj. Shqipëria dhe Belgjika do të jenë në 6 muajt e ardhshëm bashkëkryesuese të Procesit të Bolonjës. Në përfundim Ministri i Arsimit dhe Shkencës, siguroi homologët e tij se Qeveria e Shqipërisë është e vendosur të mbështesë me përparësi zhvillimin e shpejtë të arsimit të lartë, duke i u përmbajtur politikave evropiane të arsimit të lartë dhe principeve të Procesit të Bolonjës. Takimi Ministror i Budapestit dhe Vjenës i zhvilluar më datat 11 dhe 12 mars, pati si temë “Ndërtimin e shoqërisë globale të dijes” dhe shkëmbimin e përvojës së vendeve në Arsimin e Lartë. Në Vjenë Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, u takua me shume homologë të tij të Austrisë, Hungarisë, Kroacisë, Lituanisë, Slovenisë, Kanadasë, Çekisë, Rumanisë, Bullgarisë, Serbisë, Kinës, Japonisë, Brazilit, Izraelit, si dhe me komisaren e BE për arsimin e Drejtorët e Arsimit të Lartë të Këshillit të Evropës e UNESCO-s. Në vizitën e tij dy ditore në Austri, Ministri Tafaj u takua edhe me studentët shqiptarë që studiojnë në Universitetet austriake.

Ky lajm është publikuar: 15/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›