E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS:Qeveri presion ndaj mediave

Autori i Lajmit: S.T
Partia Socialiste ka shprehur dje shqetësimin për lirinë e medias në Shqipëri. Duke iu referuar raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, deputeti i PS-së, Fatmir Toçi tha se aty kishte mjaft kritika për korrupsionin qeveritar, për zgjedhjet e parregullta, por edhe për problematikën e vështirë me të cilën përballet sot media në vendin tonë. “Mediat keqpërdoren për qëllime politike, thotë raporti. Ka presione të drejtpërdrejta mbi mediat nga qeveria si dhe raste të kërcënimeve të gazetarëve prej saj. Si pasojë e presioneve dhe e pasigurisë në punë, gazetarët shqiptarë detyrohen ti nënshtrohen vetëcensurimit. Transmetuesi publik, RTSH është nën kontroll të rreptë qeveritar në linjën e tij editoriale dhe favorizon qartazi Partinë Demokratike”, citon Toçi raportin e DASH. Ai shton se sulmet e Sali Berishës kundër medias janë provë e qartë se media shqiptare po kryen me sukses misionin e saj fisnik për të informuar, denoncuar e kritikuar ekseset e pushtetit e politikës. “Prandaj Partia Socialiste edhe njëherë thekson mbështetjen e saj të plotë e të pakushtëzuar për median e lirë në Shqipëri. Në të njëjtën kohë, i bëjmë thirrje Sali Berishës dhe qeverisë së tij që të heqin dorë nga kjo betejë aspak demokratike për të blerë, korruptuar e mbyllur gojën medias së lirë”, - tha ai.
Ky lajm është publikuar: 15/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›