E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimet e hidrokarbureve Konfindustria kërkon ndërhyrjen e Qeverisë

Autori i Lajmit: Redaksia

Qeveria të ndërhyjë për të rregulluar tregun e hidrokarbureve. Kërkesa është bërë dje nga Administratori i Përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku. Sipas tij Ekzekutivi duhet të verë në punë Enti n Rregullator të Karburanteve. “Institucioni në fjalë do të shërbej si vëzhgues dhe rregullator për çrregullimet subjektive të çmimeve në tregun strategjik të karburanteve përfshi edhe tregun e gazit të lëngshëm krahasuar me çmimet e tregjeve ndërkombëtare, me pasoja të drejtpërdrejta dhe të rënda në krijimin e kostove shtesë për bizneset, industritë dhe qytetarët shqiptare”, - deklaron Buxhuku. Sipas tij keqfunksionimi i vazhdueshëm i tregut të karburanteve në Shqipëri, në kushtet kur teorikisht kemi të bëjmë me treg të liberalizuar, mund të shpjegohet vetëm me ekzistencën në praktikë të marrëveshjeve të llojit “kartel” ndërmjet operatorëve të fushës. Në kushte të tilla, pohon ai, roli i institucioneve shtetërore duhet të jetë vendimtar për të zhdukur pasojat nga gjendja e mësipërme dhe për të parandaluar në afatgjatë rikrijimin e gjendjeve të tilla të pakënaqshme. “Tregu i karburanteve dhe gazit me një qarkullim vjetor prej 800-900 milion euro/vit përben tregun më të madh në vend me ndikim të drejtpërdrejtë në të gjithë sektorët e ekonomisë sidomos industrive si dhe në mirëqenien e qytetarëve shqiptare. Kostot shtesë të panevojshme të krijuara në vazhdimësi nga keqfunksionimi i tregut të karburanteve ndikojnë në uljen e fuqisë konkurruese të prodhimeve vendore krahasimisht prodhimeve të huaja duke shtuar kështu problematikën shqetësuese në ekonominë shqiptare, sidomos në kushtet e pasojave të krizës globale, që parashikohet të jenë të ndjeshme në vitin 2010 e në vazhdim për ekonominë shqiptare”, - ka deklaruar Buxhuku.

Ky lajm është publikuar: 15/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›