E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni i Sigurisë diskuton sot draftin

Autori i Lajmit: S. Topi
Kuvendi do të vazhdojë edhe sot diskutimin e projektligjit për Shërbimin Informativ Shtetëror. Ashtu siç ishte parashikuar në axhendën e punimeve të Kuvendit ky draft i propozuar nga Qeveria dhe i plotësuar me amendimet e kreut të SHISH, Bahri Shaqiri do të jetë sot për diskutim në Komisionin e Sigurisë. Burime nga ky komision kanë pohuar se do të vazhdojnë respektimin e axhendës pavarësisht kritikave të dhëna për të. Ambasadori amerikan Xhon Uidhers kërkoi diskutimin e draftit me ekspertët ndërkombëtarë para se ai të kalojë në seancë plenare. Pas shqetësimeve të ndërkombëtarëve ky draft do të diskutohet dhe në një tryezë të thirrur nga ish-presidenti Alfred Moisiu. Në tryezën e cila do të mbahet ditën e mërkurë do të marrin pjesë përfaqësuesit e shteteve më të rëndësishme në vendin tonë.

Uidhers: Drafti SHISH cenon imazhin e Shqipërisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kundërshtuar projektligjin e Qeverisë për Shërbimin Informativ Shtetëror. Ambasadori amerikan në vendin tonë Xhon Uidhers ka deklaruar se është i shqetësuar për këtë draft i cili, sipas tij i jep përgjegjësi të re shërbimit sekret duke cenuar imazhin e Shqipërisë dhe duke drejtuar vendin gabim. “Është me rëndësi jetike që shërbimi informativ i Shqipërisë të mbetet profesional, i pavarur dhe i lirë nga të gjitha ndërhyrjet politike. Jemi të shqetësuar që projektligji i minon këto parime”, - ka pohuar Uidhers lidhur me draftin e ekzekutivit për SHISH. Sipas tij ky projektligj i ngarkon përgjegjësi të reja brenda vendit shërbimit informativ të vendit, të cilat janë shqetësuese. “Shqipëria ka punuar shumë për të përmirësuar imazhin e saj ndërkombëtar. Ne druhemi se ky projektligj në formën e tij aktuale po e dëmton këtë imazh. Ne e marrim këtë çështje shumë seriozisht”, - ka thënë ambasadori amerikan ndërsa shtoi se SHBA nxit me forcë që ekspertë ligjorë ndërkombëtarë të lejohen të kryejnë një rishikim të gjithanshëm të projektligjit përpara se parlamenti të ndërmarrë ndonjë veprim të mëtejshëm. “Është e domosdoshme që çfarëdo projektligji i tillë të përmbushë standardet ndërkombëtare në përputhje me detyrimet euro-atlantike të Shqipërisë”, - ka deklaruar Uidhers. I pyetur se ku cenohen standardet ndërkombëtare dhe ku vihet re ndërhyrja e politikës ai ka shtuar se “Mendoj se e kemi treguar ku qëndrojnë shqetësimet tona kryesore. Çfarëdo shërbimi informative duhet të mbetet profesional. Nuk duhet të politizohet. Duhet të ruajë pavarësinë si institucion. E kemi parë projektligjin, projektligjin e rishikuar. Vazhdojmë ta quajmë të papranueshëm në pikëpamjet që sapo përmenda”.

Kritikat, mazhoranca mbron ligjin e SHISH

Mazhoranca ka mbrojtur versionin e saj për ligjin e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe pas kritikave të hapura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Deputeti demokrat në Komisioni e Ligjeve, Eduart Halimi ka deklaruar se drafti nuk ka asnjë amendament antikushtetues. “SHISH ka qenë dhe vazhdon të jetë një institucion në varësi të kryeministrit. Nuk ka qenë sot, është që në momentin kur është krijuar. Drejtori i SHISH emërohet nga Presidenti i Republikës me propozim të Kryeministrit dhe ky është një fakt që në të vërtetë nuk është ndryshuar. Po ashtu dhe raportimi ashtu siç dhe vetë kërkoi drejtori i SHISH do të rregullohej me të njëjtin vendim qeverie që ka funksionuar nga viti 1999 dhe në vijim dhe nuk ka ndonjë shkelje të ndonjë parimi. Nuk di cili është detaji që ka shqetësuar ambasadorin amerikan. Sigurisht ato janë amendamente që nuk kanë kaluar në seancë plenare. Mund të paraqiten në komisionin përkatës”, -ka pohuar Halimi. Madje ai shtoi se hartimi i këtij projektligji, është bërë në bashkëpunim me ekspertët e qeverisë dhe Shërbimit Informativ Shtetëror dhe vetë kreu i këtij institucioni Bahri Shaqiri nuk ka kundërshtuar asnjë prej amendamente gjatë diskutimit në Komisionin e Ligjeve. “Të gjitha amendamentet kanë qenë amendamente që janë pranuar tërësisht nga drejtori i SHISH. Kanë qenë amendamente të propozuara dhe prej tij, dhe deri në fund të seancës nuk pati asnjë reagim nga drejtori i SHISH”,- vijoi Halimi.

Ky lajm është publikuar: 15/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›