Tafaj në stërvitje: Por, nuk jam trajner
Pragndeshja
Shiu rrezikon ndeshjen Shkumbini-Tirana! Agolli uron rikthimin e bardhebluve
Aktualisht trajner stoli i Tiranës është Luan Zengla, ndërkohë që Devis Mukaj është emëruar zyrtarisht trajner-lojtar, por gjithsesi, Alban Tafaj vazhdon ta luajë rolin e teknikut, pasi dje ka veshur sërish tutat dhe ka zbritur në fushë për të drejtuar skuadrën në stërvitje. Ky është lajmi më i ri që vjen nga fusha stërvitore e bardhebluve. Por ai që e ka rikonfirmuar këtë fakt ka qenë vetë ish-trajneri i bardhebluve, Tafaj, i pezulluar për një vit nga Disiplina. Sipas lajmeve të fundit nga kampi bardheblu, Albani është rikthyer në postin e drejtorit teknik të Tiranës, por megjithatë zbritja e tij në fushë për të stërvitur bardheblutë e përligj faktin. Vetë Tafaj, i zënë ngushtë, duke udhëhequr stërvitjen ka vënë theksin se nuk është trajner. “Nuk jam trajneri i Tiranës”, ka nënvizuar Tafaj. Ndërkohë që në stërvitjen e Tiranës dje ka marrë pjesë edhe Ansi Agolli, i cili aktualisht luan në radhët e skuadrës ukrainase Kribvas. Ish-mesfushori i krahut te bardheblutë ka mbërritur në Shqipëri për shkak të një dëmtimi të pësuar dhe tashmë po shikon të rimarrë formën fizike, duke u stërvitur përkrah ish-shokëve. Gjithsesi Agolli nuk ka mundur ta shmangë diskutimin në lidhje me Tiranën aktuale, e cila duket se është rikthyer sërish në krizën që e kishte zaptuar në fazën e parë të sezonit. Megjithatë për mesfushorin, Tirana është skuadra që gjithmonë lufton për titujt në kampionatin shqiptar të futbollit. “Më vjen keq që skuadra ndodhet në këtë gjendje, nënvizoi dje Agollit pas stërvitjes. Por besoj se ekipi është i mirë. Shpresoj të mundin Besën në ndeshjen e kthimit në Kupë dhe të paktën të arrijnë deri në finale”. Ndërkohë nuk fsheh faktin që fitimi i titullit kampion të Shqipërisë në edicionin e kaluar është diçka që i dhuron ende shumë kënaqësi. “Ne ishim një skuadër e mirë dhe jam shumë i lumtur që ia arritëm të dilnim kampionë në fundin e sezonit të kaluar”, përfundon futbollisti, i cili tashmë ka fituar një vend stabël në Kombëtaren e Josip Kuzhe. Me gjithë zhvillimet e fundit, Tirana për asnjë moment nuk e ka shkëputur mendjen nga kampionati, ku në ndeshjen e radhës do të duhet të përballet me Shkumbinin në Peqin. Kushtet e rënduara atmosferike, pasi kanë shtyrë për një datë të papërcaktuar ndeshjet çerekfinale të Kupës, Gramozi-Teuta dhe Shkumbini-Dinamo, me shumë mundësi mund të shtyjnë këtë radhë edhe ndeshjen e së dielës në kampionat, mes skuadrës peqinase dhe asaj të Tiranës. Fusha sportive e Shkumbinit, ku kjo skuadër zhvillon ndeshjet, është në një gjendje të mjerueshme e për pasojë nuk mund të përballojë reshje të dendura shiu. Megjithatë vendimi përfundimtar do të merret pasi të verifikohen kushtet pak para orarit të caktuar për t’u luajtur kjo ndeshje.
#