Tahiri: Basha në bashki, një vit i dështuar
Tiranë- Një vit i dështuar që në nisje, një vit i çuar dëm për qytetarët e Tiranës, kështu e ka konsideruar kryetari i Partisë Socialiste Saimir Tahiri punën 1-vjeçare të Lulzim Bashës në krye të Bashkisë së Tiranës.
Tahiri i është kundërpërgjigjur kështu deklaratës së kryebashkiakut Basha dhe në një takim me vendorët bëri bilancin e punës së Bashës duke risjellë edhe njëherë në vëmendje procesin zgjedhor që sipas tij, cënoi të drejtën e qytetarëve për të shprehur vullnetin e tyre me votë, ndihmuar nga Ristani.
Shumë nga ne e të tjerë, autoktonë e të ardhur në Tiranë, as e vinin në dyshim se Lulzim Basha mbaron mu aty te buzëqeshja e vet, e as kishim ndonjë dyshim se mund ishte ndryshe. Por tani, edhe më optimistët kanë ndërruar mëndje e thuajse pranojnë me zë të lartë sa bosh e i paaftë mund të jetë njeriu kur vihet në provën e punës. Tamam kështu ndodhi.-u shpreh Tahiri.
Tahiri deklaroi se Basha premtoi vende pune dhe ulje taksash por sipas tij, gjithçka ka qënë një gënjeshtër.
Premtoi mijëra vende pune për të rinjtë e Tiranës. Një herë 30.000, një herë tjetër 50.000. Pastaj 100.000, pastaj 200.000. Sa më afër dita zgjedhjeve, aq më shumë vende pune premtonte Luli. Të gjitha gënjeshtra. Jo vetëm që nuk hapi asnjë vend pune, por filloi spastrimet në institucionin ku hyri me dhunë. Shkarkoi nga puna e nxori në rrugë burra e gra, të rinj e të reja, specialist që kishin dhe mbi 20 vjet në punë në Bashkinë e Tiranës, deklaroi Tahiri.
Premtoi se do ulte taksat 2 deri në 5 herë. Gënjeshtër. I rriti taksat, madje i dyfishoi. Duke i përmbledhur në numër, e duke i shumëfishuar në vlerë. Sot sipërmarrësit e vegjël, tregtarët dhe biznesmenët, paguajnë taksa e tarifa lokale thuajse dyfishin e atyre që paguanin vetëm një vit më parë,- tha Tahiri për taksat.
Ndërkohë Tahiri u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës, që të shpagojnë në zgjedhjet e ardhshme me votën e tyre.
/IDEA/