Tahiri: “Dialogu, ekskluzivisht për çështje praktike”

“Filozofia politike e shtetit të Kosovës është e bazuar në vlera evropiane, thellimit të miqësisë me vendet mike dhe forcimit të marrëdhënieve me shtetet fqinje. Kosova është e fokusuar në përmbushjen e detyrimeve për integrim në Bashkimin Evropian, NATO dhe OKB dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtarë”.
Kështu ka deklaruar Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, gjatë një takimi me ministrin për Evropën, David Lidington. Ajo ka shprehur mirënjohjen e madhe që ka Kosova dhe qytetarët e saj për kontributin që ka dhënë Mbretëria e Bashkuar në të gjitha fazat e shtetformimit të Kosovës. Nga ana e tij, Lidington ka rikonfirmuar qëndrimin e Mbretërisë se Bashkuar se pavarësia, sovraniteti dhe integriteti shtetëror i Kosovës, janë çështje të mbyllura.
Sipas një deklarate për shtyp, Tahiri ka theksuar se kërkohet më shumë mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë, që Kosova sa më parë të marrë liberalizimin e vizave, të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me BE-në, duke nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim-Asocim, si dhe të përshpejtohet procesi i marrjes së statusit kandidatit për Kosovën.
Duke folur për dialogun teknik, zëvendëskryeministrja ka thënë se ky dialog ndërshtetëror është ekskluzivisht për çështje praktike, të cilat do të kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të të dyja vendeve, avancimit të axhendës evropiane për Kosovën, si dhe përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.
Lidington ka thënë se Mbretëria e Bashkuar është e përkushtuar ta ndihmojë Kosovën në planin e brendshëm dhe te jashtëm.