E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri Jo veriu ne bisedimet me Serbine

Kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri përjashton çdo mundësi që gjatë këtyre bisedimeve të flitet për statusin final apo veriun e Kosovës. Në një intervistë për Televizionin AS Tahiri thotë se pavarësia dhe integriteti territorial janë të paprekshëm ndërsa me Serbinë do të bisedohet vetëm për çështje teknike të cilat e rëndojnë jetën qytetarëve të të dy vendeve. Një ditë para takimit të dytë në Bruksel, Tahiri shpalos për AS agjendën e bisedimeve të kësaj jave me Serbinë. 
"Temat do të jenë çështjet e energjisë, çështje t e telekuminikacionit dhe nën tre do të jenë çështjet e  lëvizjes së lirë. Çështja e njohjeve të dokumenteve dhe pasaportave, diplomave, tabelave të regjistrimit të automjeteve. Sigurisht një pjesë të kohës do ti kushtojmë çështjeve të mbetura nga raundi i parë i bisedimeve", tha Edita Tahiri, Udhëheqëse e Delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë.
Tahiri thotë se për Kosovën nuk ekziston çështje e veriut, por vetëm problemi i serbëve që jetojnë në atë pjesë. Andaj, ajo siguron, se bisedimet do të jenë ekskluzivisht të natyrës teknike. "Por me rëndësi është  që ky dialog teknik  do të  jetë vetëm për çështje teknike dhe në asnjë rast nuk do  të preket sovraniteti i Kosovës , integritetin territorial të Kosovës, rregullimin e brendshëm  të Kosovës. Ky dialog zhvillohet mbi bazën e kushtetutës së Republikës së Kosovës  dhe nuk do të ketë tema politike ...Nuk ekziston çështja e veriut, ekziston problemi i një pjese të serbëve, të cilët jetojnë në veri dhe të cilët hamendën  për ardhmërinë e tyre, hezitojnë të integrohen në institucionet  Kosovës .Përmes zgjidhjeve të çështjeve praktike, ne jemi të bindur se ky dialog do të bind edhe serbët  e veriut  se ardhmëria e tyre është në shtetin pavarur të Kosovës", tha Tahiri.
Tahiri thotë se është fitore për Kosovën që në këto takime ulet si palë e barabartë, si shtet i pavarur për të zgjidhur problemet që ekzistojnë në mes të Kosovës dhe Serbisë që nga koha e luftës.  "Ky dialog do të jete  me karakter teknik, pra në të do të adresohen çështjet praktike, përkatësisht problemet që e rëndojnë Kosovën, por edhe marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë që nga periudha e luftës .Fjala është për problemet e ndryshme të ndërhyrje së Serbisë , për shembull çështjet e  energjisë, telekuminikacionit. Pengesat që krijohen në planin  e lëvizjes së lire, mosnjohja e dokumenteve të Kosovës. Pastaj tabelat  e regjistrimit të diplomave, problemet e angazhimit të Kosovës në çështjet e bashkëpunimit rajonal dhe pengesat që i krijon Serbia për këto çështje, siç janë për-shembull CEFTA”, vijoi ajo.
Tahiri vlerëson se Serbia vazhdon të ketë të njëjtin mentalitet si në të kaluarën dhe kjo sipas saj mund të paraqes problem për zgjidhjen e problemeve për të cilat po diskutohet në Bruksel.
Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›