Tahiri: Kërkesa e Topallit kërcënim antikushtetues
Autori i Lajmit: Redaksia
Socialistët e kanë quajtur si kërcënim letrën individuale që kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u ka dërguar gjithë deputetëve socialistë për të thyer bojkotin dhe për tu bërë pjesë e Kuvendit. “Jozefina Topallit ti vijë turp që përdor postin për të bërë diversion duke vazhduar gjahun e Sali Berishës për të joshur apo për të bërë presion mbi deputetët socialistë, përmes kësaj letre që nuk është asgjë tjetër veçse një kërcënim antikushtetues”, - tha dje deputeti socialist, Sajmir Tahiri. Sipas tij Sali Berisha duhet ta harrojë se Partia Socialiste kthehet nga vendimi i saj mbi marrëdhënien e kushtëzuar me parlamentin. “Sali Berisha ta harrojë se PS do pushojë së kërkuari deri në fund, hapjen e kutive dhe zbardhjen e të vërtetës së 28 qershorit. Beteja e Partisë Socialiste është beteja e shqiptarëve për të shpëtuar nga pushteti i Sali Berishës, Jozefina Topallit dhe të gjithë atyre që çalojnë mendërisht kur flasin për Partinë Socialiste dhe mandatet e deputetëve të saj. Nuk janë mandatet e deputetëve që rrezikojnë të digjen, por është mandati i qeverisë së Sali Berishës që do digjet si një mandat që ushtrohet në mënyrë ilegjitime”, - tha ai. Ndërkohë letra e kryeparlamentares Topalli është injoruar nga deputetja Arta Dade e cila tha se kryeparlamentarja nuk po kryen detyrën e sajë si kryesuese e Kuvendit. “Do të ishte mirë që zonja Topalli të bënte detyrën e sajë si spikere e Parlamentit dhe marrëdhëniet e sajë me deputetët nuk janë individuale por janë institucionale”.
Ky lajm është publikuar: 16/01/2010