E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli letër individuale socialiste: “Thyeni bojkotin”

Autori i Lajmit: Redaksia
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, provon diversionin duke u kërkon deputetëve socialistë të thyejnë bojkotin. Vetëm tri ditë para rinisjes së punimeve të Kuvendit kryeparlamentarja u ka dërguar letër secilit prej deputetëve, nëpërmjet së cilës i njofton ata se mandati i tyre mbaron më 6 mars. Ajo i referohet nenit 71 të Kushtetutës, sipas të cilit mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur ai nuk bën betimin dhe kur mungon pa arsye për 6 muaj rresht në Kuvend. Më tej në letrën e saj Topalli fton deputetët e opozitës që të jenë të pranishëm në seancën e hapjes së sesionit të dytë parlamentar më 18 janar, ku siç ajo bën të ditur, do të debatohet për gjendjen e emergjencave civile në Shkodër.
Letra
“Me dëshirën më të mirë për vendin dhe ju, ndiej për detyrë tju shkruaj këtë letër dhe tu vë në dijeni: Më 7 shtator 2009 u mblodh Kuvendi i Shqipërisë duke shënuar fillimin e sesionit të parë të legjislaturës XVIII. Në këtë sesion në 17 seanca plenare u miratuan 69 ligje dhe 20 vendime që u përkasin reformave të rëndësishme në fushën ekonomike dhe fiskale, çështjet sociale, në luftën kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunimin në çështjet e sigurisë”, - informon Topalli. Ajo shton më tej se Kuvendi zhvilloi punimet në këtë sesion pa praninë e deputetëve të opozitës. Si Kryetare e Kuvendit, shton ajo, në mënyrë të vazhdueshme ka bërë thirrje që çdo deputet i zgjedhur të zinte vendin e tij në Kuvend dhe të merrte pjesë në veprimtarinë e tij në përmbushje të detyrimit si përfaqësues i zgjedhësve. Më tej Topalli, në ushtrim të funksioneve të saj si kryeparlamentare, informon se në nenin 71, pika 2 të Kushtetutës, parashikohet ndër të tjera se: Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm sipas rastit: a) kur ai nuk bën betimin, d) kur mungon pa arsye 6 muaj rresht. “Më datë 6 mars 2010 mbushen 6 muaj nga mbledhja e Kuvendit. Sesioni i ri do të mblidhet më 18 janar 2010. Deri më datë 6 mars 2010 parashikohet zhvillimi i seancave plenare në datat 18, 21, 28 janar, 4, 11,18, 25 shkurt dhe 4 mars 2010. Në këto rrethana, ju njoftoj se në këto seancë plenare ju keni mundësinë të ndërprisni bojkotin dhe të mos lejoni mbarimin e mandatit tuaj si për shkak të mosbërjes së betimit, ashtu dhe për shkak të mospjesëmarrjes në punimet e Kuvendit për 6 muaj rresht”, - shkruan kryeparlamentarja Topalli. Ajo shton se “me këtë letër ju ftoj me dëshirën më të mirë që të merrni pjesë në punimet e Kuvendit dhe të përmbushni kështu detyrimet tuaja kushtetuese”. Më tej ajo shton se seanca plenare e ditës së hënë ka në rendin e ditës debatin mbi gjendjen e emergjencës civile në Shkodër. Me çeljen e punimeve të Parlamentit të dalë nga zgjedhjet e 28 Qershorit 2009, deputetët socialistë vendosën të bojkotojnë për shkak të qëndrimit që u mbajt për zgjedhjet dhe kërkesës për hapjen e kutive. Nëse bojkoti do të vazhdojë deri më 6 mars, kryeparlamentarja Topalli ka paralajmëruar nisjen e procedurave për zëvendësimin e deputetëve që humbasin mandatin. Sipas saj, do të mblidhet Këshilli i Legjislacionit dhe më pas Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vendosë për zëvendësimin e mandateve. Ky qëndrim i Topallit është mbështetur dhe nga kryetari i KQZ-së, Arben Ristani. Opozita e ka kontestuar këtë qëndrim duke pohuar se nuk do të lejojë djegien e mandateve të deputetëve.

Përmbytjet, Parlamenti më shumë punë me opozitën

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, nuk pranon të komentojë qëndrimin e fundit të opozitës për tu bërë pjesë e Kuvendit, edhe pse pohon se angazhimi i saj do të ndihmonte Parlamentin. “Nuk dëshiroj sot të flas për këtë çështje. Për këtë mund të fliste shumë mirë Kryetarja e Kuvendit. Por, natyrisht, çdo veprim që rrit efikasitetin e gjithë institucioneve, përfshirë këtu dhe Parlamentin, për të përballuar këto çështje me të cilat po ndeshen banorët e Shkodrës e të Nënshkodrës jo vetëm sot, por edhe nesër, sepse është një proces që do të vazhdojë edhe pas evakuimit të ujit, pasi pasojat kanë mbetur atje, absolutisht është veprimi më i mirë dhe në këtë drejtim. Parlamenti mund të bëjë shumë më tepër duke pasur edhe angazhimin e opozitës”, - tha Meta, i pyetur për kthimin e opozitës në Kuvend, në rast se do të kishte seancë të jashtëzakonshme për përmbytjet.

Kuvendi “ok” kërkesës së PS, seancë të jashtëzakonshme të hënën

Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë seancë të jashtëzakonshme me objekt përmbytjet në Shkodër, të hënën e javës së ardhshme në orën 17:00. Ky është vendimi i marrë dje nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Duket se qëndrimi i Topallit është vendosur pas qëndrimit të përsëritur të socialistëve për tu kthyer në Kuvend vetëm nëse do të ketë seancë të jashtëzakonshme. Për të mos u lënë shkak për bojkot të mëtejshëm, kryetarja e Kuvendit ka pranuar kërkesën e selisë rozë. Lajmi është bërë me dije nga burime zyrtare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Burime të njëjta nuk bëjnë me dije detaje të tjera, por thanë se seanca e jashtëzakonshme do të ketë për objekt situatën e krijuar nga përmbytjet në Shkodër gjatë dy javëve të fundit. Prej ditëve të para të përmbytjes socialistët kërkuan shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Kryetari i PS-së, Edi Rama, dhe deputeti socialist Pandeli Majko, gjatë një inspektimi në zonat e përmbytura, i bënë thirrje Qeverisë për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa Presidentit të Republikës të mblidhte Këshillin e Sigurimit. Por as Berisha dhe as Topi nuk iu përgjigjën pozitivisht kësaj kërkese. Ndërkohë që pas qëndrimit të fundit të socialistëve, të cilët duke u tërhequr disi pranuan në shkonin në Kuvend, vetëm për seancë të jashtëzakonshme, Topalli duket se e ka shfrytëzuar mirë këtë moment dhe ka pranuar kërkesën. Ky është një moment i përshtatshëm në mënyrë që dhe PS dhe mazhoranca, edhe pse publikisht nuk ndryshojnë qëndrimet e tyre, bëjnë njëfarë tërheqjeje.

Rouçek dhe Daul kundër bojkotit të opozitës

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë vizitës së saj në Bruksel ka zhvilluar takime dhe me zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, përfaqësues i grupit socialist në PE, Libor Rouçek dhe presidentin e Grupit të Partive Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian Joseph Daul. Një njohës i mirë i Shqipërisë gjatë viteve si raporter dhe në vijim, zoti Rouçek tha se vlerëson shumë hapat që Shqipëria ka bërë drejt BE-së si dhe për plotësimin e angazhimeve për liberalizimin e vizave. Pas takimit, Ruçek, i pyetur nga mediat për bojkotin e opozitës, tha se ishte kundër tij. “Unë jam kundër çdo bojkoti. Në një demokraci ne zhvillojmë zgjedhje, ndonjëherë fiton, ndonjëherë humb, por duhet të pranosh rezultatin. Parlamenti është zemra, është qendra e demokracisë”, - tha ai. Lidhur me liberalizimin e vizave zoti Ruçek tha se në vizitën e fundit të tij në Shqipëri ka parë punën e madhe të bërë për kartat e identitetit, pasaportat biometrike, sigurinë e kufijve, duke shprehur bindjen se liberalizimi i vizave për Shqipërinë do të ndodhë në korrik 2010, ndërsa Daul ka shprehur bindjen për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe ka pohuar se Shqipëria është pjesë e Evropës, është pjesë e qenësishme e saj dhe duhet absolutisht të hyjë në BE. Biseda mes Kryetares së Kuvendit dhe zotit Daul u përqendrua në hapat e Shqipërisë në përafrimin e saj me BE-në, liberalizimi i vizave dhe bashkëpunimi ndërparlamentar. Kryetarja e Kuvendit falënderoi zotin Daul për mbështetjen e vazhdueshme duke shprehur bindjen në rritjen e bashkëpunimit në përshpejtimin e proceseve anëtarësuese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në këtë fazë të re ku ndodhet Shqipëria. Edhe Daul është shprehur kundër bojkotit të opozitës, ndërsa ka pohuar se “demokraci e vërtetë është kur opozita bën punën e saj, bën propozimet e saj. Opozita nuk duhet të bojkotojë. Kjo nuk ekziston në demokraci. Kur zgjidhemi nga populli, nga qytetarët, kemi një përgjegjësi për të mbajtur”.

Ky lajm është publikuar: 16/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›