Bashkimi Evropian nxit dialogun politik
Autori i Lajmit: Redaksia
Ambasadori i Bashkimit Evropian, Helmut Lohan dhe ambasadori spanjoll Emanuel Montobio kanë kërkuar dialog konstruktiv mes partive politike. Pas takimit me kreun Partisë Socialiste, Edi Rama ambasadori spanjoll që përfaqëson edhe vendin që ka presidencën e radhës në Bashkimin Evropian, e cilësoi dialogun si mënyrën më të mirë që të dyja palët të mbrojnë pozicionet e tyre. “Qëllimi i këtij takimi siç e kam thënë edhe më parë, është prezantimi i prioriteteve të presidencës spanjolle. Këshilli Evropian e ka bërë të qartë se mënyra më e mirë për të mbrojtur pozicionet e tyre, është dialogu konstruktiv nga ana e të gjithë partive politike. E unë këtu atë përfaqësoj, Këshillin Evropian, komunitetin evropian”,- tha ambasadori Montobio. Ndërsa Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në PS, Arta Dade u shpreh se dy ambasadorët, ambasadori Lohan dhe ai i Spanjës, që ka presidencën e radhës së BE, informuan për prioritetet e presidencës spanjolle edhe në kuadër të zbatimit të Traktatit të Lisbonës. “Çështja e dytë ishte marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me Shqipërinë, me sfidat që ka Shqipëria për të përmbushur ato standarde që kërkohen për të avancuar projektin e axhendës evropiane të Shqipërisë. Sigurisht, folëm edhe për situatën politike në vend, e cila kërkon që të ketë një angazhim pikësëpari nga mazhoranca vetë. PS, si një parti që është udhëhequr nga konstruktiviteti është e gatshme që të bëj atë çka është e mirë për interesat e vendit dhe për zhvillimet e demokracisë, në mbrojtje të parimeve themelore të saj”, - tha ajo.
Ky lajm është publikuar: 16/01/2010