Kush punon në ditë festash, shtesë page
Vendimi
Qeveria vendosi ditën e djeshme t’u japë të drejtën punonjësve të administratës që të kompensojnë me shtesa page ditët e festave zyrtare, në të cilat duhet të punojnë, ose ditën pasardhëse, kur festa bie në një ditë pushimi. Këshilli i Ministrave vendosi të amendojë ligjin për ditët e pushimit, pasi më parë është vendosur që ditët e hëna do të jenë ditë pune, ndonëse festa zyrtare mund të ketë qëlluar në fundjavë. “Kur festa zyrtare bie në ditët e pushimit javor, dita e hënë është ditë pune dhe puna e kryer kompensohet me një shtesë page prej 25 për qind”, theksohet në relacionin që shoqëron këtë vendim. Po kështu, qeveria parashikon një shtesë rroge mbi 25% ose ditë pushimi më pas, në momentin kur punonjësit detyrohen të punojnë edhe ditën kur dita konsiderohet si pushim. “Kur festa zyrtare bie në ditët e punës dhe me vendim të Këshillit të Ministrave ose në kontratën kolektive është vendosur të punohet, puna e kryer ditën e festës zyrtare kompensohet me një shtesë page, jo më pak se 25 për qind ose me një pushim të barabartë me kohëzgjatjen e ditës së punës së kryer plus një pushim shtesë”, theksohet në relacion. Nga ana tjetër, në ndryshimet që janë bërë në ligj theksohet se dita e pushimit zyrtare është një ditë për të cilën punonjësit do të paguhen në fund të muajit.
#