E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri: Pala serbe u tërhoq nga projekt-marrëveshjet

Nga Express më 11 qershor 2011 në ora 15:04

Pala serbe është tërhequr në elemente të ndryshme të projekt-marrëveshjeve. Madje, ka pasur raste edhe kur për propozimet e veta ka rënë në kundërshtim me vetveten, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri.

"Në takimet që i kemi pasur përmes video-konferencës, pala serbe ka bërë tërheqje në elemente të ndryshme të këtyre projekt-marrëveshjeve. Madje, ka pasur raste që edhe për propozimet që i ka dhënë vetë, ka rënë në kundërshtim me vetveten dhe është tërhequr. Nga ana tjetër, unë kam shprehur mirëkuptim për atë që ata kanë nevojë për t’i studiuar tutje vendimet e tyre. Mirëpo, po ashtu kam kërkuar që të nxitojnë në vendimmarrje, sepse është në interes të mbarëvajtjes së dialogut që të kemi vendime ashtu siç ne, pala e Kosovës, për këto draft-marrëveshje të cilat janë në tavolinë, kemi dhënë pajtimin në parim, kemi marrë vendime dhe mbetemi seriozë në angazhimet tona për të çuar përpara dialogun dhe për të pasur zgjidhje në të mirë të qytetarëve. Gjithashtu, në bisedat me diplomatët perëndimorë kemi bërë të qartë se dialogu duhet të ketë afatet e veta dhe para pushimeve verore duhet të ketë marrëveshje, në mënyrë që të fillojë zbatimi i tyre. Me këtë rast, palët do të dëshmojnë edhe vullnetin politik për t’i zbatuar zotimet që i marrin në kuadër të marrëveshjeve të dialogut", tha Tahiri.

Ajo thotë se marrëveshjet e mundshme do të jenë në formë të standardeve evropiane, që do t’i obligojnë të dyja palët.

"Ky proces i dialogut teknik është një proces tre-palësh, pra ndërmjet Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Evropian. Për sa u takon modaliteteve se si do të duken marrëveshjet, këtë do ta sugjerojë pala e tretë, pra Bashkimi Evropian. Është me rëndësi që këto do të jenë obligative, edhe për Kosovën edhe për Serbinë. Do të jenë formë e standardeve evropiane, siç janë edhe standardet tjera evropiane për shtetet që duan të bëhen pjesë e BE-së", thotë ajo.

Sa u takon kritikave që kryetari i Kuvendit ka bërë në drejtim të platformës së bisedimeve, zonja Tahiri thotë se Qeveria i ka kryer të gjitha obligimet ndaj Parlamentit.

"Ne raportojmë rregullisht në Kuvend - po ua them disa shembuj, kryeministri ka qenë në interpelancë në Kuvend për çështjen e dialogut, ka njoftuar gjerësisht për platformën, për qëllimet tona, për dialogun, për angazhimin tonë që përmes këtij dialogu të përmirësojmë jetën e qytetarëve, t’i kontribuojmë bashkëpunimit rajonal dhe ta afrojmë Kosovën me BE-në. Po ashtu, unë, si kryenegociatore, kam raportuar në Komisionin për politikë të jashtme të Kuvendit, në Komisionin për komunitete dhe për çështjen e të pagjeturve. Vazhdimisht jap përgjigje në pyetjet parlamentare që më vijnë, madje jam shumë e elaboruar në kuptimin e asaj që varësisht nga pyetja, unë shpalos platformën për çështjen e caktuar që pyetem dhe çdo herë do ta bëjmë këtë sa herë që kemi kërkesë nga Kuvendi i Kosovës", theksoi Tahiri.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›