E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e trafikut gjobit deri në 14 këmbësor në ditë

Nga Express më 11 qershor 2011 në ora 17:28

Ngasësit e veturave nuk janë të vetmit që gjobiten për shkeljen e rregullave të komunikacionit. Këmbësorët, po ashtu, marrin dënime për shkeljen e rregullave. Policia në kryeqytet thotë se brenda ditës shqiptohen deri në 14 gjoba të tilla.

Policia e Kosovës ka filluar zbatimin e urdhrit që synon forcimin e disiplinës së pjesëmarrësve në komunikacion. Zëdhënësi Baki Kelani thotë se që nga muaji prill ka filluar zbatimi i këtij urdhri që ka të bëjë me këmbësorët, ngasësit e biçikletave dhe motoçikletave dhe ka për qëllim vetëdijesimin e pjesëmarrësve në trafik. Plani pritet të përmbyllet në muajin shtator.

“Drejtoria e policisë së trafikut ka lëshuar këtë plan i cili pritet të përfundojë në muajin shtator. Në kuadër të këtij plani në fokus të veçante janë këmbësorët, biciklistat dhe motociklistat”, thotë Kelani.

Policia e Kosovës gjatë një 24 orëshi mund të shqiptojë deri në 800 tiketa të gjobave, varësisht nga frekuentimi i pjesëmarrësve në komunikacion, ku përfshihen edhe këmbësorët. Mbikëqyrësi i njësiteve të trafikut në kryeqytet, Ali Berisha thotë se brenda ditës ndodh të shqiptohen deri në 13 apo 14 gjoba për këmbësorët. Gjobat për ta janë në të holla duke filluar prej 15 eurove, por ato mund të rriten deri në 35 euro, kjo për shkak të mos respektimit të urdhrit të policisë, sqaron Berisha.

“Për këmbësorët që nuk e respektojnë vendkalimin dënimi është 15 euro, ndërsa për ata që nuk i respektojnë shenjat e policit, dënimi është 35 euro. Kemi dhe njerëz të atillë që nuk i respektojnë shenjat e policit”, thotë Berisha.

Por, a është gjobitja formë e vetëdijesimit të këmbësorëve? Edhe vetë disa prej tyre e pranojnë se kështu është.

“Gjobitja është i vetmi vetëdijesim. Ne me fjalë nuk vetëdijesohemi, thotë një qytetar.

Shkaktarë kryesor i aksidenteve është faktori njeri, i cili në komunikacion merr pjesë si ngasës dhe si këmbësor, duke mos përjashtuar as edhe faktorët e tjerë. Edukimi në trafik duhet të fillojë që nga bangat e shkollës fillore, në mënyrë që nxënësit edhe si këmbësorë, por edhe si ngasës të ardhshëm të dinë të sillen në mënyrë të përgjegjshme. /rtk/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›