E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri: Presidente, pse jo?

Nga Express më 03 shkurt 2011 në ora 20:39

Presidenti i Kosovës duhet të jetë një figurë unifikuese. Ky është një nga kriteret kryesore për president. Edita Tahiri, ministre në dorëheqje e Shërbimeve Publike, tha të enjten se gjithmonë ka luajtur rol unifikues dhe ka qenë ajo që ka pajtuar LDK-në me krahun e luftës. Sipas Tahirit, ajo i thotë dy herë po postit të presidentit, nëse i ofrohet, pasi, sipas saj, i plotëson të gjitha kriteret.

“Gjithmonë kam luajtur një rol unifikues. Kam pasur rol në bashkimin e LDK-së me krahun e luftës, kam përvojë 20 vjeçare në politike. Kam braktisur madje edhe poste për të mirën e Kosovës”, ka thënë Tahiri për RTK.

Por, deri më tani 4-5 emra të përfolur si kandidatë të mundshëm për kryetar të Kosovës janë vetëm në nivel spekulimesh. Vetë Tahiri tha se nuk ka pasur deri më tani bisedime në lidhje me këtë çështje. “Ka pasur disa bisedime me zyrtarë të ndryshëm për çështje aktuale, por ato kanë qenë më shumë bisedimet në nivel parimor. Kam pasur disa intervista të themi nga disa diplomatë që punojnë në Kosovë dhe interesimi i tyre ka qenë edhe për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm”, ka theksuar ajo.

Tahiri tha se presidenti zgjidhet nga Kuvendi, “prandaj edhe duhet të ketë koalicion dhe vota të mjaftueshme në Kuvend”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›