E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri: Qeveria është e përkushtuar në dialogun

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka pritur në një takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Christopher Dell dhe zëvendësshefin e misionit të SHBA-vë në Kosovë, Michael J. Murphy.
 

Tahiri informoi ambasadorët lidhur me programin vizionar dhe reformator të qeverisë dhe prioritetet kryesore në politikat e brendshme përfshirë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, sundimin e ligjit, përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe komuniteteve dhe avancimin e agjendës euro-atlantike dhe njohjen globale të Kosovës.
 

Tahiri po ashtu falënderoi SHBA-të për mbështetjen në dialogun që po zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se qeveria e Kosovës në këtë dialog është shumë e përkushtuar me qëllim që të arrihen rezultate pozitive në dobi të qytetarëve dhe avancimit të bashkëpunimit rajonal dhe të afrimit të Kosovës me BE-në.
 

Ambasadori Dell edhe njëherë rikonfirmoi mbështetjen amerikane për shtetin e Kosovës duke thënë se Kosova mbetet një vend mik dhe partner serioz i SHBA-ve, duke thënë se e çmon lartë qasjen serioze të qeverisë së re të Kosovës për të shënuar rezultate konkrete në reformat ekonomike, në sundimin e ligjit dhe po ashtu në politikën e jashtme dhe atë të sigurisë nacionale.
 

Dell rikonfirmoi qëndrimin e SHBA-ve se pavarësia, sovraniteti dhe integriteti shtetëror i Kosovës janë çështje të mbyllura. Ai në fund shtoi se do të vazhdoj përkrahja aktive e SHBA-ve për anëtarësimin e Kosovës në BE, NATO, OKB dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›