E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja “rrëzon” Kodin Zgjedhor PS-PD



Aristir Lumezi

Gjykata Kushtetuese rrëzoi Kodin Zgjedhor duke kërkuar rishikimin e tij. Gjykata e cilësoi antikushtetues nenin 68 dhe 71 të Kodit Zgjedhor që detyrojnë subjektet politike, që nuk kanë deputetë në Parlament, të mbështeten nga një numër prej 10-15 mijë zgjedhës përmes deklaratave të noterizuara. Gjykata Kushtetuese u vu në lëvizje pas një ankimimi të Partisë së Bashkimit Popullor të Pensionistëve Shqiptarë, me kryetar Selami Jenishehri, të cilët e konsiderojnë diskriminues nenin nr.71 të Kodit zgjedhor, i cili e kufizon hyrjen e kësaj partie në garën elektorale, për shkak të pamundësisë financiare për të përballuar deklaratat noteriale të 15 mijë mbështetësve të saj. Sipas saj, për krijimin e një partie politike kërkohen 300 firma që ajo të regjistrohet në gjykatë, ndërsa për të hyrë në garën elektorale, ajo duhet të paraqesë 15 mijë firma të noterizuara, vlera e të cilave arrin shifrën e 150 milionë lekësh të vjetër . Sipas anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, këto nene të Kodit Zgjedhor, shkelin Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë në nenet 17 dhe 18, ku "askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore". Sipas Kushtetutës, "kufizime të të drejtave dhe lirive të njeriut të parashikuara në të, mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve.." Partia e Pensionistëve kishte kërkuar vetëm rrëzimin e nenit 71 të Kodit Zgjedhor, vetëm për sa i përket formës së nënshkrimit nga ana e zgjedhësve para noterit apo KQZ-së të deklaratës mbështetëse të partisë apo kandidatit të pavarur. Por në shqyrtimin e kësaj kërkese, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë parë si kushtëzim të së drejtës kushtetuese të partive politike, jo vetëm paraqitjen e 15 mijë deklaratave të noterizuara të mbështetësve të tyre në KQZ, por dhe detyrimin që një parti duhet të mbledhë një numër kaq të madh deklaratash edhe të pa noterizuara. Pasi, për zyrtarizmin e një partie politike në gjykatë, funksioni i të cilës është hyrja në zgjedhje dhe përfaqësimi i zgjedhësve të saj në Kuvend, mjaftojnë vetëm 300 firma mbështetësish. Partia e Pensionistëve Shqiptarë argumenton se dy kodet e mëparshme zgjedhore, ai i vitit 2000 dhe 2003 nuk kanë pasur një kufizim të tillë prej 10-15 mijë firmash të noterizuara, por mjaftonte vetëm mbështetja e 300 zgjedhësve të asaj zone zgjedhore. Kodi i ri Zgjedhor, i miratuar në 29 dhjetor 2008 me konsensus të plotë mes Partisë Demokratike në pushtet dhe Partisë Socialiste në opozitë, synoi krijimin e një sistemi mbipartiak në Shqipëri duke vështirësuar jo vetëm hyrjen në garë të partive të reja, por dhe eliminimin e partive të vogla parlamentare deri në atë moment, siç ndodhi me PSD, PDS, PDK, ndërsa LSI organizoi një grevë urie 10 ditore në Kuvend kundër këtij kodi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›