Tahiri: Shtyrja e dialogut, për shkak të palës serbe

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, ka thënë se raundi i gjashtë i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, është anuluar për shkak të palës serbe, e cila nuk është treguar e gatshme të pranojë marrëveshjen për tregtinë e lirë, njohjen e vulave të doganave të Kosovës, të njohura tashmë nga BE-ja.
Përmes një deklarate për shtyp, kryengociatorja kosovare ka thënë se më këtë qëndrim, “Serbia vazhdon të shkelë parimet e lëvizjes së lirë të mallrave, si një prej parimeve fondamentale të BE-së.
Ajo ka porositur Serbinë që “orientimi pro-evropian nuk bëhet me retorikë por me politika e vendime pro-evropiane”.
Deklarata e Tahirit, vjen pas njoftimit të ndërmjetësit te BE-së, në dialogun teknik Robert Kuper, se takimi i nesërm i palëve është anuluar, ndërsa bisedimet do të rinisin në shtator.