Tahiri: Topi të mos e firmosë shtyrjen e moratoriumit
Deputeti i Partisë Socialiste, Saimir Tahiri, i ka bërë thirrje Presidentit të Republikës të mos e dekretojë projektligjin e ri që shtyn moratoriumin antiskaf, sepse në të kundërt PS do ta ankimojë atë në institucionin që interpreton ligjin themeltar të shtetit. "I kërkojmë Presidentit të Republikës të mos e dekretojë projektligjin për moratoriumin e skafeve, jo vetëm pse është një projektligj absurd dhe unikal, që nuk ekziston askund në botë, por sepse shkel plotësisht të drejtat dhe liritë e njeriut të njohura nga Kushtetuta. Në të kundërt, Partia Socialiste do kërkojë menjëherë nga Gjykata Kushtetuese shpalljen si antikushtetues të këtij ligji", tha Tahiri. Deputeti i Partisë Socialiste theksoi se ky projektligj shkel në mënyrë flagrante Kushtetutën e Shqipërisë, duke cenuar vetë thelbin e të drejtave dhe lirive të njeriut, në mënyrë të pamotivuar përpjesëtimisht me gjendjen që ka diktuar rinovimin e moratoriumit për skafet.