Vocaj letër Ramës: Liro menjëherë bulevardin
TIRANE- Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, i ka nisur sërish një letër kryebashkiakut Edi Rama, nëpërmjet të cilës i kërkon që të ndërhyjë sa më parë për zhbllokimin e menjëhershëm të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Vocaj i ka rikujtuar Ramës që protestuesit po kryejnë vepër penale, duke penguar qarkullimin e mjeteve të transportit automobilistik. Gjithashtu, drejtori i policisë ka vënë në dijeni kreun Partisë Socialiste, për situatën e rënduar së fundmi si rezultat i devijimeve të trafikut, për shkak të bllokimit të bulevardit kryesor. Më pas ka sqaruar se me gjithë përpjekjet për menaxhimin e kësaj situate, trafiku rrugor, por edhe rendi e qetësia publike vazhdon të jetë e cenuar. Tonin Vocaj i ka rikujtuar gjithashtu Edi Ramës se, si rezultat i devijimeve të trafikut, shumë kryqëzime e rrugë kryesore në Tiranë kanë marrë një ngarkesë tej normales dhe nëse vazhdon ky bllokim, situata e rendit publik do të përkeqësohet, duke cenuar rëndë jetën normale të kryeqytetit. Sipas Vocajt, tubimet e ditëve të fundit dhe grumbullimet pa lajmërim zyrtar në rrugë të ndryshme të Tiranës kanë çuar në vështirësi strukturat e policisë, për menaxhimin e trafikut të krijuar.