E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri dëshmon për 21 janarin: Protestuesit u qëlluan nga ata që duhet ti mbronin

Share

(E PERDITESUAR)- Hetimet e 21 janarit janë rihapur dhe këtë radhë Prokuroria ka marrë si dëshmitarë organizues të kësaj proteste. Të enjten ishte për të dëshmuar në prokurori deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, i cili pas daljes nga Prokuroria tha se ai u pyet për organizimin e protestës. Me kërkesë të prokurorëve unë u paraqita në Prokurorinë e Tiranës për të dëshmuar në lidhje me gjithçka dija për protestën e 21 janarit ku humbën jetën, siç e dini të gjithë, 4 qytetarë dhe u plagosën shumë të tjerë. Ajo që është për t’u theksuar është nga njëra anë gatishmëria jonë për të ndihmuar hetimet në lidhje me 21 janarin dhe nga ana tjetër mungesa totale e gatishmërisë së atyre që urdhëruan vrasjet e 21 janarit jo vetëm për të ndihmuar hetimet, por për të lejuar drejtësinë të bëjë drejtësi. Kështu që sot që flasim familjarët e 4 qytetarëve që humbën jetën kërkojnë drejtësi. Fëmijët e mbetur pa prindër kërkojnë drejtësi, ndërkohë që familjarët dhe fëmijët e atyre që urdhëruan vrasjet e 21 janarit pasurohen në kurriz të qytetarëve. Kjo është pabarazia dhe mungesa e drejtësisë, mungesa e shtetit ligjor dhe paaftësia e këtij shteti për të bërë drejtësi njëlloj për të gjithë, tha Tahiri.

I pyetur nga gazetarët se për çfarë ishin të interesuar prokurorët në rastin e deputetit të PS-së, ai bëri të ditur se prokurorët ishin të interesuar në lidhje me detajet që kishin të bënin me organizimin e protestës dhe protestuesit që qëlluan ndaj forcave të rendit me gurë. Unë u thashë atë që pashë, se nxitësit e vërtetë të asaj që ndodhi nuk ishte nga ana e protestuesve, por ishte nga ana e atyre që duhet të mbronin institucionet por njëkohësisht kishin detyrimin të mbronin edhe qytetarët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›