E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri në gjyq: Gjykata “s’gjen” dot dëshmitarët

Deputeti socialist, pas përfundimit të seancës deklaroi se ky gjyq po kthehet në një farsë qesharake dhe se gjykata po bëhet instrument në dorën e pushtetit të Berishës.

Deputeti socialist ka bërë publike edhe vendndodhjet apo adresat e dëshmitarëve që ai ka kërkuar të vijnë në gjyqin e tij, dhe që gjykata shprehet për mos dijeni të tyre. “Konkretisht, gjykata më tha se ajo vetë nuk mund t’i kërkojë institucioneve shqiptare as deklaratën e pasurisë së Shkëlzen dhe Argita Berishës, as Drejtorisë së Tatim-Taksave marrëdhënien financiare që kanë zyrat e tyre me shtetin shqiptar dhe taksat dhe tatimet që paguajnë, as të dhënat që kanë të bëjnë me procesin e Gërdecit dhe që sot administrohen në një proces tjetër gjyqësor e kështu me radhë”, theksoi ai.

Tahiri tha se i kishte kërkuar Gjykatës që këto prova t’i gjente vetë, pasi sipas tij, duhet të bëhet drejtësi dhe të mos lejohet në asnjë mënyrë  gjykata të bëhet instrument në dorën e pushtetit të Sali Berishës dhe fëmijëve të tij. “Madje meqë jam këtu, po i bëj thirrje publike dhe dëshmitarëve dhe gjykatës t’i gjejë dhe t’i kërkoj dëshmitarët në adresat që po deklaroj: Argita Berisha adresa 1 kat sipër shtëpisë së Sali Berishës, e ruan garda dhe ka gjykata ku ta gjejë. Shkëlzen Berisha vila në Mullet, ajo më e madhja dhe më e bukura. Damir Fazlliç gjendet lehtë sa herë ka tenderë publikë në kafen e “Sheratonit”. Mihal Delijorgji në arrest shtëpie. Fatmir Mediu në Ministrinë e Mjedisit. Aldo Bumçi në Ministrinë e Kulturës. Viktor Gumi në Kuvend. Ndërsa gjeneral Luan Hoxha këtë se gjej dot as unë, këtë nuk e ka gjetur dot as gjykata, ky është në arrati”, u shpreh ai.

Më herët ishte gjyqtari i çështjes ai që vendosi që media të mos lejohet në seancën gjyqësore. Pas seancës deputeti, njëherësh nënkryetar i grupit socialist, Saimir Tahiri është pyetur nga media e cila e përcolli seancën jashtë dyerve të sallës së gjyqit. Seancën gjyqësore e kanë ndjekur sot deputetët socialistë Blendi Klosi, Besnik Baraj dhe Eduard Shalsi. /Start/

                                                                                             2012-05-09 16:58
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›