E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taj Mahal në rrezik

Një prej ndërtesave më të vlefshme botërore nga aspekti i trashëgimisë kulturore, Taj Mahal, afër qytetit indian Agra, mund të rrëzohet brenda pesë viteve të ardhshme.

Nëse nuk ndërmerret ndonjë aksion urgjent për forcimin e themeleve të drunjtë të objektit, që kanë filluar të kalben, Taj Mahal do të mund të rrëzohet brenda pesë vitesh.

Ky mauzole 359-vjeçar paraqet atraksionin më të njohur turistik të Indisë, ngase vizitohet nga miliona turistë brenda vitit.

Lumi Jamuna, në ujin e të cilit qëndrojnë themelet nga mahagoni të ndërtesës ka filluar të shteret, për shkak të ndotjes industriale dhe prerjes së pyjeve.

“Nëse situata nuk përmirësohet dramatikisht, Taj Mahal do të rrëzohet brenda dy deri pesë viteve”, pohon Ramshankar Kateria, deputet i Agra’s, i cili i prinë fushatës për shpëtimin e objektit që është pjesë e trashëgimisë botërore. Për rinovimin e Taj Mahal nevojiten të paktën 80 milionë euro.

Ndryshe Taj Mahal është ndërtuar nga raxha Mogul Shah Jehan, në shenj kujtimi ndaj gruas së tij të dashur Mumtaz Mahal, e cila vdiq gjatë lindjes.

Imazhi romantik i objektit vazhdimisht joshë mijëra turistë, por edhe shumë personalitet të njohura.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›