Tajger Vuds, lamtumirë golfit "I dedikohem vetëm familjes"
Tajger Vuds pranoi se ka pasur marrëdhënie jashtëmartesore dhe deklaroi se do të pezullojë për një kohë të pacaktuar karrierën si golfist, me synimin që t‘i dedikohet vetëm familjes. "Pas një periudhe të gjatë refleksioni, vendosa të tërhiqem pa afat nga karriera si golfist profesionist. Duhet të bëj të pamundurën që të jem një bashkëshort më i mirë, një baba më i mirë dhe një njeri më i mirë", deklaroi numri 1 në botë i këtij sporti në faqen e tij zyrtare në internet. Vuds kërkoi gjithashtu që të respektohet jeta e tij private "gjatë kësaj periudhe të vështirë". "Jam shumë i ndërgjegjshëm për zhgënjimin dhe dhimbjen që tradhtia ime i ka shkaktuar shumë njerëzve, por mbi të gjithëve gruas dhe fëmijëve të mi. Dëshiroj t‘u përsëris atyre se ndjej shumë keqardhje dhe u kërkoj falje. Ndoshta është e pamundur që t‘i dëmshpërblej për të gjitha të këqijat që u kam shkaktuar, por do të bëj të pamundurën në këtë drejtim", shpjegonte në fund Vuds në deklaratën për shtyp.