Tajlandë, protestuesit refuzojnë ofertën për bisedime
Mijëra protestues anti-qeveritarë, mbushën ditën e dielë rrugët e Bangkokut, duke mos përfillur ofertën për bisedime me qeverinë, vetëm disa orë pasi përleshjet mes protestuesve dhe ushtarëve lanë të vdekur të paktën 20 persona dhe u plagosën qindra të tjerë. Udhëheqësit e të ashtu-quajturve protestues me këmisha të kuqe thanë dje se nuk do të negociojnë me ata që i cilësuan si vrasës. Zyrtarët e shëndetësisë në Tajlandë thanë se një kameraman japonez i agjencisë së lajmeve Reuters dhe të paktën 5 ushtarë mbetën mes të vrarëve. Disa qindra të tjerë u plagosën të dielën në protestat në pjesë të tjera të kryeqytetit tajlandez. Një zëdhënës qeveritar tha se ushtria nuk kishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të protestuesve. Autoritetet konfirmuan mbrëmë se Këmishat e Kuqe kishin marrë peng të paktën 5 ushtarë. Luftimet përfunduan të dielën vonë pasi forcat e sigurisë u tërhoqën dhe u bënë thirrje Këmishave të Kuqe të bëjnë të njëjtën gjë.