Sudani, pranë zgjedhjeve shumëpartiake pas 24 vjetësh
Në Sudan po zhvillohen zgjedhjet e para shumëpartiake që prej 24 vjetësh. 16 milionë persona janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet presidenciale, parlamentare, rajonale dhe shtetërore. Disa prej kundërshtarëve kryesorë të presidenti Omar al Bashir, po i bojkotojnë këto zgjedhje. Ata deklarojnë se në proçesin zgjedhor ka pasur mashtrim dhe parregullsi. Edhe disa organizata thonë se kanë vënë re parregullsi gjatë votimit, megjithatë ish-presidenti amerikan, Jimmy Carter, i cili është një ndër vëzhguesit, thotë se këto zgjedhje mbeten për tu vlerësuar. "Në fletët e votimit janë emrat e të gjithë kandidatëve dhe votuesit mund të zgjedhin cilindo që dëshirojnë. Edhe pse udhëheqësit e partive opozitare kanë thënë se do të tërhiqen, kandidatët e tyre vazhdojnë të jenë në garë", tha ish-presidenti amerikan Jimmy Carter. Këto zgjedhje mbahen pas marrëveshjes së paqes që i dha fund luftës civile në Sudan. është thuajse e sigurt që presidenti Omar al Bashir do të rizgjidhet, pas largimit nga gara të dy prej rivalëve të tij kryesorë. Sidoqoftë, partia e tij mund të përballet me një sfidë më të fortë në zgjedhjet parlamentare dhe shtetërore. Një sfidë tjetër është referendumi që do të mbahet në janar të vitit të ardhshëm, ku votuesit në jug të Sudanit do të votojnë për pavarësinë e këtij rajoni.