E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taki al-Dini - matematikani i njohur osmanli

Nga Fitim DIKA
Në shoqëritë ballkanike është shumë normale të paragjykohet Perandoria Osmane, si faktori kryesor që la Ballkanin të pazhvilluar, arkaik, tërësisht maskilist dhe jo-demokratik. Këto terma sado abuzive që mund të duken për një njeri të shkolluar, ato përsëri përdoren thuajse nga tërë politikanët dhe përfaqësuesit e shkencës në këtë gadishull. Nëse e marrim shembull Shqipërinë dhe shqiptarët nuk ka nevojë të përmend citate pasi vështirë se ka ndonjë përfaqësues i njohur shqiptar që nuk ka përmendur fjalinë: 5 shekuj errësirë dhe stagnim. Por, xhanëm, s'ka edhe si të ndodhë ndryshe pasi edhe vetë turqit e sotëm nuk ndjehen mirë me etërit e tyre osmanlinj, pasi osmanlinjtë ishin një shoqëri multikulturale dhe me këtë term futen te gjithë kombet dhe racat që jetonin atje: si shqiptarët, serbët, rumunët, grekët, arabët, kurdët, turqit dhe deri diku edhe persët. Ndërsa me Turqinë e sotme kuptojmë një shtet nacional, qe i takon vetëm kulturës dhe gjuhës turke. Domethënë, për dallim nga akuzat qe thurin nacionalistët ballkanikë për osmanlinjtë, akuzat e nacionalistëve turq për osmanlinjtë janë katërcipërisht të kundërta. Nën këtë ide u formuan dhe u bashkuan Xhon Turqit, që kishin ndikime të drejtpërdrejta nga rilindja e nacionalizmit ne Evropë nga Kongresin i Vestfalit (1648) dhe nga Revolucioni Francez (1789). Por unë nuk do t'i futem kësaj teme shumë të gjerë dhe të larmishme, pasi edhe nuk do të më interesonte shumë. Historia përsëri pëson ndryshime dhe thuajse është e varur nga politika.  Këtu si argument kemi përsëri Shqipërinë, ku para disa dekadash as nuk mendohej të flisje diçka 'të mirë' për osmanlinjtë, ndërsa sot një gjë e tillë bëhet me më pak paragjykime. Mbase nesër do jetë edhe më ndryshe. Tema ku do fokusohesha në këtë artikull është në lidhje me njërin ndër enciklopedistët dhe matematikanët më të mëdhenj osmanlinj dhe më gjerë Taki al-Dini (i lindur më 1526 në Damask, ndërsa vdiq më 1585 në Stamboll).
Taki al-Dini u edukua në Kajro të Egjiptit ku arriti të bëhet edhe ligjërues në një xhami dhe më vonë mësues në një shkollë të lartë medreseje. Më vonë ai do bëhej astronomi i dy sulltanëve Selimit II-të dhe Muradit III-të, jo më kot zhvendoset në Stamboll ku edhe do kryejë zbulimet e tij. Shkak i studimit të kësaj figure universale u bë mësimi i funksionit Tajlor (Taylor series) në matematikë që arrin të gjejë vlerën e një funksioni të caktuar duke të treguar dhe gabimin e përafërt nga vlera e fituar. Pavarësisht se vargu Tajlor është njëri ndër zhvillimet epokale në matematikë, nuk është edhe aq i thjeshtë për t'u përdorur. Për këtë edhe pse shumica e njerëzve mund të jenë marrë me shkencat ekzakte e kanë të vështirë të caktojnë vlerën e përafërt të sin1(?). E mora shembull sin1, pasi në mesjetë, vlera e këtij funksioni ka qenë shumë me rëndësi për matematicientët. Në vitet e arta Islame, personat që u përpoqën të caktojnë vlerën e saktë të sin1 ishin Al Buzjani (959-998), Ibn Yunus (ca. 1000), Ulugh Beg (1394-1449), mirëpo vlerën precize të sin1 e caktoj osmanlinj Taki al-Dini. Përveç kësaj ai llogariti këtë jo me sistemin decimal, por me sistemit e numrave këndor, një gjë mjaft e vështirë në atë kohë. Taki al-Dini ka shkruar gjithsej 6 libra që kanë të bëjnë me matematikën dhe veçanërisht me trigonometrinë si pjesë lidhëse mes matematikës dhe astronomies (lënda së cilës Al Dini i përkushtoi 33 libra). Arritjet e tij në astronomi janë të mëdha duke përdorur teleskopët më të zhvilluar të kohës, ku më vonë do përdoreshin nga dy astronomët bashkëkohës të tij: Tyho Brahe dhe Nikola Koperniku. Sot edhe vetë shkencëtarët gjermanë nuk bëjnë dallim mes madhështisë së Tyho Brahe, Nikola Kopernikut dhe në anën tjetër Taki al-Dini, bile në raste të shpeshta Taki al-Dini vlerësohet më tepër.( Horton, Paul (1977) "Topkapis Turkish Timepieces). Al-Dini do krijonte një zodiak të ri dhe një glob të ri sipas njohurive të atëhershme. Mos harrojmë se atëherë akoma s'ishte zbuluar bindshëm forma elipsoide e tokës dhe një glob është zbulim madhor për atë kohë. Ajo që do mbetet si zbulimi me fenomenal i Taki al-Dinit është padiskutim futja në përdorim e orës me alarm, e cila përmbante po ashtu edhe minutat dhe sekondat, e para në historinë e njerëzimit. Sipas Donald Routledge Hill kjo orë është zbuluar më vitin 1559, ndërsa sipas dokumenteve tjera daton prej vitit 1556. Ky zbulim madhor në astronomi, kishte një rëndësi edhe tek populli osmanlinj për faljen e namazit dhe orientimin, pasi shumë shpejt Taki al-Dini do formonte orën e cila do mund të merreshe me vete, edhe pse këtë gjë shumë pak para tij e kishte zbuluar gjermani Peter Henlein. Zbulimet tjera të Taki al-Dinit janë edhe në optikë dhe veçanërisht në përthyerjen e rrezeve duke shpjeguar edhe 'dukurinë e ngjyrave', gati dy shekuj përpara Isak Njutonit. Ai s'ishte turk, por arab; ai i kërkoi sulltanit një investim madhor për të ndërtuar një laborator si asnjëherë më parë, Sulltani e aprovoi; perëndimorët e krahasojnë me Kopernikun, vallë si do shpreheshim ne për këtë figurë?

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›