E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimet, ja nenet që nuk pranohen nga sipërmarrësit

• Ndizet debati "Për ligjin e gjobave ndaj biznesit". Deputetët e komisionit të Ekonomisë kanë diskutuar dje me përfaqësuesit e biznesit projektligjin e ri të qeverisë "Për procedurat tatimore".

fabiola Çela

Në një zë të vetëm përfaqësuesit e biznesit kanë kundërshtuar fort projektligjin e ri duke e cilësuar atë si arbitrar. Të njëjtin mendim me ta kanë ndarë edhe deputetët e opozitës. Gjatë seancës së djeshme sipërmarrësit kanë evidentuar të gjitha nenet problematike të këtij projektligji. Një risi e  projektligjit është dhe transferimi i detyrimit tatimor tek të tretët, që u jepte të drejtën tatimeve të mbledhin detyrimet e papaguara nga një biznes tek një biznes tjetër, që është debitor ndaj të parit.
Reagimet
Financat kanë pranuar dështimin e ligjit "Për procedurat tatimore". Ky ligj daton që në dhjetor të vitit 1999. Që nga kjo kohë e deri më tani qeveritë i kanë bërë goxha ndryshime. Por këto ndryshime nuk kanë bërë gjë tjetër veçse e kanë vështirësuar edhe më tej zbatimin e këtij ligji. Në këto kushte ekspertët e Ministrisë së Financave kanë hartuar projektligjin e ri "Për procedurat tatimore". Drafti i ri u jep të drejtën tatimorëve të bllokojnë dhe sekuestrojnë pasuritë e bizneseve debitore ndaj shtetit, duke anashkaluar gjykatën. Drafti heq një shkallë të apelimit tatimor dhe lë në fuqi vetëm drejtorinë e apelimit në drejtorinë e tatimeve, pasi ka shtrirë komisionin e apelimit në Ministrinë e Financave. "Të gjitha iniciativat e kryera kohët e fundit në tatime kanë krijuar konfuzion. Thika është kthyer nga ana e biznesit ndërsa doreza nga ana e tatimorëve", tha dje përfaqësuesi i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Genc Boga. Sipas tij, ndryshimet e bëra në legjislacionin fiskal kanë për qëllim që t'ia rrisin presionin biznesit dhe t'ia lehtësojnë punën administratës tatimore. Kundër projektligjit të ri të qeverisë është shprehur edhe Shoqata e Ndërtuesve dhe Dhoma e Industrisë dhe Tregtisë. Përfaqësuesi i tyre Xhavit Curri ka detajuar të gjitha pikat e dobëta të këtij projektligji.
Gjobat
Pika më e debatuar e këtij projektligji mbetet neni që përcakton përveç parapagimit detyrimit tatimor të ankimuar edhe parapagimin e 15 për qind të shumës së gjobave e të interesave, përpara se të depozitojë kërkesëpadinë për shqyrtim gjyqësor. Biznesi ka kërkuar që ky nen të hiqet. Sipas tyre, aplikimi i këtij neni do të ashpërsonte marrëdhëniet shtet-biznes. Heqja e këtij neni bëhet edhe më e domosdoshme po të merret parasysh edhe fakti që është hequr si shkallë apelimi, komisioni i Apelimit të Tatimeve në Ministrinë e Financave, i cili kishte një fare pavarësie relative në vendimmarrje, pasi biznesi kishte përfaqësuesit e tij në të.
Projektligji
Projektligji i jep të drejtën tatimpaguesit, në rrethana pamundësie nga ana e tij, për të përfituar automatikisht shtyrje të afatit të deklarimit për një muaj, por jo shtyrje të afatit të pagesës. "Për mendimin tonë një gjë e tillë është pa sens, pasi praktikisht nuk mund të ndodhë që një tatimpagues të ketë mundësitë për të bërë pagesën në kohë dhe të mos ketë mundësinë për të deklaruar në kohë. E kundërta po, ndodh shpesh për shumë arsye, kryesisht për arsye që kanë të bëjnë me gjendjen financiare dhe aftësinë paguese", ka thënë Curri. Por ndër problemet më të rëndësishme që evidentohet në projektligjin e paraqitur është ai që ka të bëjë me "Vlerësimin tatimor". Sipas formulimit të këtij neni, administratës tatimore i lind kurdoherë e drejta të rivleresojë një deklaratë tatimore kur ajo konstaton apo dyshon se vetëvlerësimi është i pasaktë. Në këto kushte biznesi ka sugjeruar që në piken 4 të këtij neni duhet saktësuar në mënyrë shumë të qartë se një deklaratë tatimore mund të rivlerësohet vetëm në përfundim të një kontrolli tatimor në vend dhe në asnjë rast tjetër. Biznesi ka kundërshtuar edhe rritjen e interesave për pagesat e vonuara. Sipërmarrësit kanë hedhur idenë që do të ishte më mirë që kjo përqindje duhet ulur për ta barazuar me interesat e kredisë së bankave të nivelit të dytë e cila nuk kalon 12 për qind. Sipërmarrësit kanë kundërshtuar dhe rikontrollin tatimor. Sipas tyre, në rastet kur tatimpaguesi refuzon bashkëpunimin apo thënë ndryshe tatimpaguesi nuk lejon hyrjen dhe pengon kontrollin tatimor, nuk ka arsye për rikontroll pasi pengesa mund të vazhdojë. Kjo pasi sipas biznesit ky është një nga rastet tipike ku mund të bëhet vlerësim tatimor nga zyra sipas metodave alternative. Por përveç kësaj bizneset kanë evidentuar edhe mangësi në këtë projektligj. P.sh., në asnjë nen të këtij projektligji nuk flitet se si dokumentohen lëvizjet e mallrave që nuk kanë të bëjnë me shitjet. Bëhet fjalë për lëvizjet nga një magazinë në një tjetër të të njëjtit tatimpagues, për lëvizjet nga magazina në drejtim të pikave të shitjes, etj. Aktualisht sipas ligjit në fuqi, në raste të tilla lëvizja e mallrave dokumentohet nëpërmjet fletës së shoqërimit të mallit. Mospërcaktimi i një dokumenti të tillë në projektligj jo vetëm do të krijonte boshllëk, por do të linte rast për arbitraritet të administratës pasi për çdo lëvizje do të kërkohet faturë tatimore.

Nenet e kundërshtuara nga biznesi

Neni 48
Mbajtja dhe ruajtja e dokumenteve të të dhënave tatimore
3) Tatimpaguesi për çdo shitje lëshon faturë tatimore ose kupon tatimor.
Neni 50
Fatura tatimore me tvsh-në
1) Tatimpaguesi që i nënshtrohet tatimit mbi vlerën e shtuar, sa herë që ofron mallra apo shërbime për një person tjetër, duhet të lëshoje faturë tatimore me tvsh.
2) Ministri i Financave me udhëzim mund të parashikojë transaksione për të cilat nuk ekziston detyrimi i lëshimit të një faturë tatimore duke përcaktuar kriteret për dokumentimin e këtyre transaksioneve.
3) Përveç përshkrimeve dhe të dhënave të parashikuara në paragrafin e trete të nenit më sipër, fatura tatimore me tvsh përmban:
a. Vlerën mbi të cilin përllogaritet tvsh-ja;
b. vlerën me tvsh të zbatuar sipas kategorive të sendeve, punimeve e shërbimeve; c. shumën e tvsh-së.
4) Ministri i Financave me udhëzim, mund të përcaktojë kërkesa të tjera që duhet të përmbajë një faturë tatimore për rastet që rrjedhin nga veçoritë e veprimtarive te zhvilluara, të sendeve te tregtueshme, te punimeve apo të shërbimeve.
Neni 58
Dokumentet tatimore të transportit
1) Tatimpaguesit që mbajnë, tregtojnë, përdorin ose transportojnë mallra duhet të përftojnë dokumentet e nevojshme tatimore që provojnë pronësinë ose kontrollin mbi këto mallra dhe, me kërkesën e zyrtarëve të administratës tatimore, i vënë këto dokumente në dispozicion të tyre.
Neni 66
Zgjatja e afatit për dorëzimin e deklaratës tatimore
1) Në rastet kur tatimpaguesi ndodhet përpara pamundësisë për dorëzimin në kohë të deklaratës tatimore, ai paguan detyrimin tatimor dhe njofton administratën tatimore për zgjatjes të afatit të dorëzimit të deklaratës tatimore. Në rastet e pamundësisë për dorëzimin në kohë të deklaratës tatimore, afati i dorëzimit zgjatet automatikisht për 30 ditë dhe për këtë periudhë nuk zbatohet masa e gjobës.
2) Zgjatja e afatit për dorëzimin e deklaratës tatimore, nuk ndikon në afatin e pagesës së detyrimit tatimor dhe në përllogaritjen e kamatëvonesës për detyrimin tatimor, i cili do të rezultojë si i papaguar në momentin e dorëzimit të deklaratës tatimore.
Neni 68
Vlerësimi tatimor
4) Nëse administrata tatimore konstaton se detyrimi tatimor i dhënë në deklaratën tatimore është i pasaktë ose tatimpaguesi nuk ka dorëzuar deklaratë tatimore, ose kur tatimpaguesi nuk ka paguar detyrimin tatimor, administrata tatimore bën vlerësimin tatimor.
5) Administrata tatimore vlerëson detyrimin tatimor të tatimpaguesit në përputhje me dispozitat e legjislacionit përkatës. Vlerësimi bazohet në:
a) Informacionin që përmban deklarata tatimore e tatimpaguesit;
b) rezultatet e një kontrolli në përputhje me kreun IX të këtij ligji;
c) metodat alternative të vlerësimit të parashikuara në nenin 72 të këtij ligji.
Neni 83
Raporti i kontrollit tatimor
1) Inspektori i grupit të kontrollit tatimor është përgjegjës për përgatitjen e raportit të kontrollit brenda shtatë ditëve kalendarike pas përfundimit të kontrollit tatimor.
2) Raporti i kontrollit jep rezultatet e kontrollit, shumën e vlerësimit të propozuar dhe referencat ligjore që justifikojnë propozimin e bërë dhe nënshkruhet nga inspektori/inspektorët e kontrollit tatimor.
3) Një kopje e raportit të kontrollit i jepet drejtorit të drejtorisë rajonale të tatimeve dhe një kopje e raportit i dërgohet me postë tatimpaguesit.
4) Tatimpaguesi ka të drejtë t'i kundërshtojë rezultatet e kontrollit tatimor brenda tri ditëve pune pas datës që raporti konsiderohet të jetë marrë nga tatimpaguesi.
5) Kundërshtimi nga tatimpaguesi bëhet me shkrim dhe në të përshkruhen arsyet e kundërshtimit.
6) Grupi i kontrollit e shqyrton kundërshtimin brenda 5 ditëve pune pas datës që kundërshtimi është marrë ose konsiderohet të jetë marrë dhe arsyetimi i dhënë nga grupi i kontrollit për kundërshtimin, përfshihet në raportin përfundimtar të kontrollit.
Neni 84
Raporti përfundimtar i kontrollit tatimor
1) Raporti përfundimtar i kontrollit tatimor plotësohet dhe nënshkruhet nga të gjithë pjesëtarët e grupit të kontrollit, dhe miratohet nga urdhëruesi i kontrollit, brenda 14 ditëve kalendarike nga data që kundërshtimi i tatimpaguesit është marrë ose konsiderohet të jetë marrë nga grupi i kontrollit tatimor.
2) Raporti përfundimtar i kontrollit tatimor përshkruan vendin e kontrollit, periudhën për të cilën është kryer kontrolli, një përshkrim të dokumenteve të shqyrtuara, personat e intervistuar, arsyetimi i tatimpaguesit që është marrë në konsideratë dhe rezultatin e argumentuar të kontrollit.
3) Një kopje e raportit përfundimtar të kontrollit tatimor dhe shuma e vlerësimit, nëse ka, i dërgohet me postë tatimpaguesit dhe një kopje dorëzohet në drejtorinë rajonale tatimore apo njësinë e ngjashme me të.
4) Në qoftë se raporti përfundimtar i kontrollit tatimor propozon një vlerësim të ri, ky vlerësim hyn në fuqi 30 ditë kalendarike nga data që raporti i kontrollit është marrë ose konsiderohet të jetë marrë nga tatimpaguesi.
5) Tatimpaguesi që kundërshton vlerësimin e propozuar, mund ta ankimojë këtë vlerësim në përputhje me dispozitat e kreut XIII të këtij ligji.
Neni 85
Rikontrolli tatimor
1) Rezultatet e kontrollit tatimor janë detyrues për administratën tatimore. Për të njëjtin detyrim tatimor, nuk mund të kryhen kontrolle të mëtejshme, me përjashtim të rasteve kur:
a) Tatimpaguesi nuk ka bashkëpunuar gjatë kontrollit tatimor ose nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën me shkrim për dhënien e informacionit administratës tatimore gjatë kryerjes së kontrollit tatimor;
b) administrata tatimore ka prova konkrete dhe të besueshme që tatimpaguesi është përfshirë në evazion tatimor apo;
c) inspektori gjatë kontrollit tatimor nuk ka vepruar ne përputhje me procedurat e kontrollit dhe për këtë shkak ndaj tij kanë filluar procedura disiplinore apo janë marrë masa disiplinore. Në përbërjen e grupit të rikontrollit tatimor nuk mund të bëjnë pjesë inspektorë që kanë marrë pjesë në kontrollin tatimor të mëparshëm
2) Rikontrolli tatimor miratohet nga drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve për fillimin e një rikontrolli tatimor, të bërë nga drejtori i drejtorisë rajonale apo i njësive të ngjashme me to, si dhe të drejtorëve drejtorive të kontrollit apo auditit brenda drejtorisë së përgjithshme.
Neni 89
Njoftimi dhe kërkesa për të paguar
1) Sa herë që administrata tatimore gjykon që një tatimpagues nuk ka paguar plotësisht dhe në datën e caktuar detyrimet e tij tatimore, administrata tatimore i dërgon me postë rekomande tatimpaguesit, një njoftim me shkrim, ku kërkon pagesën e plotë të detyrimit tatimor. Për njoftimin dhe kërkesën për të paguar zbatohen të njëjtat afate dhe procedura, siç parashikohet në nenin 69 të këtij ligji.
Neni 107
Pagesa e detyrimit tatimor, subjekt i ankimit
5) Përpara se të depozitojë kërkesëpadinë për shqyrtimin gjyqësor, tatimpaguesi duhet të paguaje 15 % të vlerës së gjobave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›