E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takim në mesjavë për krizën, i pakonfirmuar niveli i përfaqësimit

Negociatat në Bruksel

Garancitë maksimale të Kryeministrit Sali Berisha të premtuara dje nga Gjermania, duket se do të kenë një mundësi për t’u konfirmuar në tryezë me faktorin ndërkombëtar. Mesjava e ardhshme do të rezervojë një takim të ri në Bruksel, pavarësisht se deri më tani mbetet i pakonfirmuar niveli i tij. Burime nga Partia Socialiste theksuan dje për gazetën “Shqip” se shpresa për transparencën e zgjedhjeve do të bëhet reale kur kreu i qeverisë jo vetëm të premtojë garanci, por edhe të marrë angazhime konkrete për zgjidhjen e krizës aktuale politike. Teknikisht negocimi i vetëm real që PS shpreson të zhvillojë me kundërshtarin e vet është një tryezë e ndërmjetësuar nga komuniteti europian, ku me sa duket Berisha apo përfaqësues të tij do të jenë të detyruar në mos të firmosin diçka, të hedhin hapa konkretë për zhbllokimin e situatës politike. Kjo është arsyeja pse këmbëngulja në kërkesat e veta e shoqëruar me rikthim në Parlament janë adaptuar si një taktikë politike që nxit perceptimin se opozita ka bërë lëshime. Angazhimi i Brukselit në fakt u sinjalizua qartë edhe në deklarimet e Sarajevës, kur edhe pse Shqipërisë iu hap drita jeshile për liberalizimin e vizave, iu nënvizua qartë nevoja e daljes nga situata e tanishme. Thënë ndryshe, normalizimi i jetës parlamentare, pezullimi i lëvizjeve të rrugës, e adresojnë faturën e përgjegjësisë për dështimin e mundshëm të negociatave te personi i Kryeministrit. Për më shumë që premisa morale e kundërshtimit të opozitës po bëhet e qëndrueshme për shkak të krizës ekonomike, e cila nuk mund të fshihet më nga asnjë statistikë apo shifër. Kështu së fundmi selia rozë ka riaktivizuar fushatën në bazën e partisë, me një devizë të mirëpërkufizuar në opozitarizmin e vet, që e zhbllokon izolimin dhe paragjykimin ndaj protestave të organizuara ngushtësisht për problemin e kutive. Ajo që duket se bind deri- diku për klimën më pozitive që po rrethon kërkesat e opozitës është vetë ndryshimi i qëndrimit të Kryeministrit, i cili nëse gjatë dy javëve që kaluan konsumoi të njëjtat argumente, menjëherë pas Samitit të Sarajevës ka bërë një ndryshim në përdorimin e gjuhës politike. Sinjale kthese ishin edhe qëndrimet e numrit dy të qeverisë, Ilir Meta, i cili ka bërë të qartë se “Shqipëria mund të penalizohet në mënyrë të pamerituar”. Kompromisi është kthyer kështu në një detyrim për qeverinë shqiptare, e cila sikurse opozita nuk pranon të bëjë publike asgjë nga përmbajtja e ofertave të veta, që për shkak të mospranimit, mund të kuptohet se janë të njëjta me ato të para dy javëve. Të paktën sipas informacioneve që vijnë nga selia rozë, kjo e fundit,e së bashku me të edhe opozita ka fituar pas kaq kohësh angazhimin zyrtar të Brukselit që edhe javën e ardhshme duket se do të qartësojë më mirë mesazhet për klasën politike shqiptare, nëse zgjidhja do të mungojë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›