E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukës, një telefonatë nga dy barinj sorollat policinë në mal

Pretendonin se kishin dëgjuar të qara fëmije. Dy javë kërkime pa rezultat

Telefonata e dy barinjve nga fshati Bele, e rrethit të Kukësit, ka vënë në lëvizje policinë lokale duke u dhënë për pak orë drejtim tjetër kërkimeve për 6-vjeçaren e zhdukur, Bleona Mata.
Të premten pasdite, dy barinjtë kanë njoftuar policinë se kishin dëgjuar në pyll një të qarë fëmije. Me të marrë këtë njoftim, drejtues të lartë të policisë së qarkut dhe një grup efektivash blu, kanë ngjitur malin e Koritnikut dhe kanë kërkuar deri në mesnatë, por pa rezultat. “Duhet të kenë qenë zërat e kafshëve të pyllit që lëshojnë klithma dhe britma gjithë natën”, ka thënë nëndrejtori i policisë së qarkut, Xhafer Elezi, i cili ka qenë për shumë ditë në krye të operacioneve të kërkimit.

Ndërkohë, kur kanë kaluar më shumë se dy javë nga zhdukja në mënyrë enigmatike të 6-vjeçares nga Zapodi, Bleona Mata, policia lokale dhe ajo e Krimeve të Rënda ende nuk kanë arritur të bien në gjurmë të saj. Bleona 6-vjeçare u zhduk pasditen e datës 22 maj 2010, disa qindra metra larg shtëpisë ndërsa ishte duke kullotur lopët dhe delet bashkë me 5 vajza të rritura. Siç kishin raportuar vetë familjarët, ajo ishte zhdukur aty rreth orës 17.00 pa gjurmë dhe fillimisht u dha versioni sipas të cilit mund të kishte rënë pre e kafshëve të egra. Kjo pistë hidhet poshtë nga ana e banorëve, pasi nuk besohet që një kafshë e egër të zbresë nga strofulla dhe të veçojë një fëmijë në mes të ditës kur kafsha mund të merrte një bagëti. Sipas tyre, policia po sorollatet kot nëpër bjeshkë, sepse nuk do të kenë rezultat. Në zonën e Zapodit kanë udhëtuar edhe funksionarë të lartë nga Tirana si drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, shefi i policisë për krimet e rënda, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë etj. Në kërkime për disa ditë u përfshi edhe policia e Dragashit të Kosovës duke gjurmuar në zonën e kufirit në pyjet e dendura, por edhe ajo nuk ka gjetur gjurmë të fëmijës së humbur. Efektivët e policisë së Qarkut të Kukësit të ndihmuar dhe mbështetur nga qindra banorë kanë kërkuar në shkrepat e Koritnikut atje ku asnjëherë ndoshta nuk ka arritur këmba e njeriut u duke menduar se Bleona mund të ishte sulmuar papritur nga ndonjë kafshë e egër, por nuk kanë zbuluar asnjë shenjë që të tregojë se vajza është pre e kafshëve të egra.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›