E Shtunë, 31 Tetor 2026

Toçi: Korrupsioni i qeverisë, pengesë për vizat

Ideologjia e antikorrupsionit duket të ketë prekur fundin e vet. Duke prodhuar ndoshta dy raunde elektoralë të suksesshëm për Partinë Demokratike, propaganda e qeverisë për betejë ndaj korrupsionit sot dokumentohet si e dështuar. Një reagim politik i opozitës rreth këtij fenomeni, që është bërë gati bllokues për investimet e huaja, ka ardhur dje nga deputeti socialist Fatmir Toçi, i cili ka shfrytëzuar me këtë rast raportin “Mbi rritjen e konkurrencës së sektorit privat në Shqipëri”, studim i Bankës Botërore. “Më tepër se një në çdo dy firma në Shqipëri paguajnë ryshfete që organet shtetërore të kryejnë punën e tyre, apo të mos i penalizojnë financiarisht...Kjo nuk është mënyra në të cilën Shqipëria do të hyjë në Bashkimin Europian. Duke qenë se korrupsioni është edhe një nga kushtet që i janë vënë qeverisë për liberalizimin e vizave, duket qartë se qeveria e “duarve të pista” po dështon në një tjetër detyrë thelbësore e angazhim të saj”, deklaroi Toçi. Liberalizimi i vizave është risjellë në vëmendjen e publikut, duke lënë të kuptohet se një refuzim i ri për këtë proces mbetet aktual. Angazhimi i PS në këtë drejtim vjen pak kohë para se në Tiranë të mbërrijë ekipi i ekspertëve që do të monitorojnë plotësimin e kushteve të vëna nga Komisioni Europian. Akuzat për korrupsion dhe dokumentimi i tyre është deri-diku edhe një politikë parandaluese e asaj që mund të shfaqet si propagandë antiopozitare e shumicës në rast të një “Jo” për vizat.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›